Miree Canolli, vajza që jetëson me duart e saj simbolet shqiptare në aksesorë të ndryshëm

3 Shkurt, 2020 - 2:11 pm

Jeta Zymberi

Në shtëpinë e artistes Miree Canolli, njëra nga dhomat është shndërruar në studio pune. Një tavolinë skaj dhomës ka grumbulluar afër vetes mjete nga më të ndryshme të cilat asaj i shërbejnë për të sjellë në formë aksesorë nga më të ndryshmit, shkruan KultPlus.

Dashuria e saj për të krijuar gjëra të bukura nga duart e saj e shtyri atë të ndjekë një kurs dizajni – kurs i artizanaleve duke i dhënë kështu një horizont më të gjerë për mundësinë e krijimit të aksesorëve.  Vajza nga Prishtina, e nisi këtë punë nga dashuria por tashmë i është shndërruar në profesion pasi që kërkesat janë të shumta.

Për krijimet e saj ajo frymëzohet nga e kaluara dhe e tanishmja. Artet tradicionale janë pikë referimi për të.

Në vitin 2014, menjëherë pas përfundimit të kursit, Miree Canolli e nisi këtë rrugëtim të ri në jetën e saj pa e pasur idenë që do dashurohet kaq shumë pas kësaj pune.

“Fillimi ka qenë pak i vështirë por me kohë u mësova dhe tash jam shumë e kënaqur me këtë punë sepse më pëlqen gjithçka që bëj. Puna e dorës më duket shumë e veçantë, e kam një dashuri ndaj saj. Interesimi i njerëzve është gjithashtu i madh dhe puna e dorës po vlerësohet shumë. Kjo është një shtysë për mua”, ka treguar Canolli për KultPlus.

Tregu i saj janë rrjetet sociale aty ku edhe prezanton punimet. Zakonisht, ajo punon 5 deri në 6 orë në ditë për t’i mbuluar kërkesat e klientëve.

Përveç aksesorëve, Mirja tashmë ka nisur të punoj edhe çanta shumë të veçanta. Në çanta ajo praktikon edhe simbolet shqiptare.

“Unë punoj kryesisht me rruaza, dizajnet realizohen me gjilpërë, disa materiale pjekën në furrë dhe kështu arrihet deri te finalizimi i produktit. Druri është një tjetër produkt i pandashëm i punës sime. Çantat kam nisur t’i realizoj më vonë por që kërkesat po janë të shumta. Turistët sidomos e vlerësojnë shumë punën e dorës. Në punimet e mija përdorë shumë edhe simbole tradicionale shqiptare. Hyjnesha në Fron është një prej tyre që e qëndisi në çantë dhe është një ndër modelet më të kërkuara”, ka treguar tutje ajo.

Përveç rrjeteve sociale, Miree Canolli me punimet e saj ka qenë pjesëmarrëse në disa ekspozita, nëpër ambasada, ministri, shoqata të grave dhe panaire të ndryshme.

Canolli vlerëson se kjo punë përveç përmbushjes i sjell edhe fitime.

Është një punë prej të cilës mund të mbijetoj dhe mendoj që nuk do t’i ndahem asnjëherë”, ka përfunduar ajo. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/Byx9aCfFykkuzq33o5eueJ_cm7C5JAJubEj1K80/

Të fundit

Të ngjajshme