‘Moshe: Një tregim në vazhdim’ nga Orhan Kurtolli, një mospajtim për atë se çfarë po ndodhë

26 Maj, 2021 - 1:32 pm

Era Berisha

Pikturat e vendosura në muret shumëngjyrëshe po merrnin frymë nën ashpërsinë kaotike të ngjyrave intensive të cilat përplasnin vëmendjen e të pranishmëve në mëdyshjen e zbulimit të enigmës së fshehur e cila ndoshta është një gjëegjëzë e shkëlqyer e veprave artistike të Orhan Kurtollit që mbrëmë erdhën në ekspozitën e titulluar ‘Moshe: një tregim në vazhdim’, të kuruar nga Albert Heta në Klubin e Boksit, shkruan KultPlus.

Në një hapësirë që i ngjasonte një labirinti që nuk kishte një rezultat apo përfundim të menduar, audienca fillimisht pati rastin t’i admiroj dy piktura të përmasave të mëdha të cilat ishin të vendosura në hyrje të ekspozitës e po një lloj si ambienti, këto piktura po portretizonin një gjendje fort të ngatërruar e cila shprehej në një dominim të ngjyrës së verdhë që stimulonte emocione dhe ndjenja të strukura në thellësinë e ndezur nga prezenca verbuese e pikturave.

Ndërkohë, disa piktura të cilat ndodheshin në kënde të vetmuara, ishin pikërisht ato që komunikonin një vetmi e një brengë të errët por që frymonin në ngjyra krejtësisht të gjalla. Ngjyra rozë që kishte kapluar atmosferën në këto piktura, po rrëmbente edhe kuriozitetin e secilit për të soditur britmat e heshtura të cilat mbyteshin brenda trubullimës së shkaktuar nga plotësimi shpirtëror i qetësisë së pikturave.

Tutje në vazhdim ndodheshin edhe piktura të cilat vinin në kontrast me pikturat e mëparshme për arsye se tani në një imazh monokromatik po shfaqej një përsosje e pandryshuar e gjendjes së njeriut në boshllëkun e mendimeve çoroditëse të cilat ishin të rafinuara kujdesshëm nga mëndafshi i penës që ka mbizotëruar mbi kanvaset e definuara në kënde nga një vijë e bardhë që përshtatej këndshëm me prapavijën e murit të bardhë.

Kurse krejt në fund të ekspozitës, të vendosura ishin piktura të cilat dukshëm dëshmojnë edhe periudhën kohore të tyre. Prandaj, për të folur më shumë rreth përmbajtjes së tyre, për KultPlus foli artisti Orhan Kurtolli, i cili tregoi se përmbajtja e tyre ndahej në tre faza.

“Një pjesë janë nga një cikël më i hershëm, një pjesë janë piktura pak më të vjetra që kanë të bëjnë kryesisht me preokupimin tim në pikturë, me kaosin urbanistik që ka ndodhur në qytet dhe pasojat e atij kaosi. Disa punime reflektojnë një tjetërsim apo tërheqje në vetmi. Pastaj, piktura më të qeta nga tërë ajo tollovi që është formuar në qytetin tonë dhe në fund shfaqet një cikël i pikturave që datojnë qysh nga viti 1970, të realizuara në mënyrë mjaft interesante sepse kam qenë shumë i ri kur i jam rikthyer pasionit tim përsëri”, thotë Kurtolli.

Sipas tij, ky tregim ende po vazhdon sepse ‘Moshe: një tregim në vazhdim’ është ekspozita e tretë personale e artistit e cila erdhi si pasojë e një bisede të zhvilluar me kuratorin i cili ka përzgjedhur këto punime të gatshme që vulosën pikënisjen e kësaj ekspozite.

“Pikturat janë realizuar pa menduar për një ekspozitë sepse janë thjesht një punë të cilën unë e zhvilloj në një vazhdim më ndryshe nga ekspozitat e kaluara por me probleme të njëjta. Ndërsa, ajo se çfarë dominon është situata dhe atmosfera surreale ku gërshetohet nostalgjia dhe situatat e tanishme ku unë si krijues jam munduar ta reflektojë një mospajtim për atë se çfarë po ndodhë”, thotë Kurtolli për KultPlus.

Tutje ai ka falënderuar miqtë dhe artistët që ishin prezent në ekspozitë ku ai shpresonte se të gjithë janë ndarë të kënaqur.

“U ndjeva mirë sepse ishte një hapje jo e rëndomtë sepse papritmas u hap dera dhe filloi ekspozita e cila do të qëndroj për një muaj”, përfundon ai.

Kjo ekspozitë konsiderohet shfaqja e parë e një projekti hulumtues në vazhdim sepse artisti tashmë ka realizuar dy ekspozita personale ndërsa ekspozita e tretë me emrin “Moshe: Një tregim në vazhdim” është mbështetur nga Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës – RRIPAK, x-print dhe DZG.

“Moshe: Një tregim në vazhdim” është pjesë e Programit Hapësinor të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë. / KultPlus.com

Të ngjajshme