Mulliqi: Në Kosovë ka shtatore shumë më të këqija se sa kjo e Skënderbeut

1 Dhjetor, 2020 - 1:47 pm

Rrëmuja mediatike për shtatoren e Skënderbeut e Adem Jasharit në Prizren ka ndikuar që me këtë çështje të merret edhe Komuna e Prizrenit, duke diskutuar edhe formimin e një komisioni për vlerësimin e shtatoreve, që të shihen mundësitë e rimodelimit të tyre, shkruan KultPlus.

Mirëpo për shtatoren e Skënderbeut në Prizren, të punuar nga Sinan Aliaj, skulptori i njohur kosovar Luan Mulliqi nuk e ka mendimin e njëjtë me të shumicës, ku e vlerësuan shumë jo profesionale shtatoren e Skënderbeut.

Në një intervistë për KultPlus ai ka thënë se Sinan Aliajn nuk e njeh personalisht, po punën që e ka punuar edhe nëpër shtatore të tjera ia njeh, dhe e vlerëson si skulptor.

“Unë mendoj që kjo shtatore nuk është e keqe ashtu sikurse e ka vlerësuar shumica. Sinan Aliajt ia njoh punën, e ka një punë të mirë, edhe pse nuk e njoh personalisht, mendoj që e bën një punë të mirë”, ka thënë Mulliqi për KultPlus, i cili ka thënë se nëse do të vlerësonim me kritere profesionale, në Kosovë ka shumë shtatore në gjendje më të keqe se sa kjo e Skënderbeut.

Mulliqi të vetmen kritikë që ka për Aliajn, potencon faktin se ai në një debat televiziv ka deklaruar se për punën e kësaj shtatore është bazuar në literaturën otomane, dhe Mulliqi ka thënë se shqiptarëve i duhet një shtatore e bazuar në historinë shqiptare, e jo e bazuar në literaturë otomane./ KultPlus.com

Të ngjajshme