7 Gusht, 2017 - 4:22 pm
Një grup artistësh të rinj polakë, po sjellin një spektakël të artit të gjallë të rrugës në fshatin Taro Zhelezare, krejt kjo me qëllim që të ngjallin jetën në këtë fshat, i cili njihet si ‘I përgjumur’ në Bullgarinë jugore. Ata kanë krijuar disa muralë të mëdhenj, ku kanë paraqitur disa figura të njohura vendase dhe disa figura të famshme të botës, përcjellë KultPlus.
Ky lloj arti me anë të këtyre muraleve të veçanta, është bërë në kuadër të projektit të quajtur ‘Fshati i hapur/Fshati avant-gard’, me anë të cilit synohet të ringjallet jeta dhe ekonomia në këtë fshat. Muralet paraqesin portrete si atë të Mbretëreshës së Britanisë së Madhe, Elizabeth, Dalai Lama, Papa Françeskut, Angela Merkel, Margaret Thatcher dhe Barack Obama, shkruan ‘Reuters’, përcjellë KultPlus.
‘Ideja është të tregohet se çdo individ ka stilin e vet dhe nuk është e rëndësishme nëse jeni i famshëm apo jo’, tha Katarzyna Piriankov, e cila para disa vitesh ka pikturuar bashkë me burrin e saj bullgar, në muralet e fshatit Staro Zhelezare, me shpresën për të sjellë një jetë të re, një shpresë të re në këtë fshat.
‘Një grua e vjetër nga Staro Zhelezare mund të thotë diçka të rëndësishme, ashtu si Barack Obama apo Donald Trump’, tha tutje ajo.
‘Unë erdha … për t’i dhënë një ngjyrë dhe bukuri këtij vendi dhe këtyre njerëzve. ‘Njerëzit këtu janë aq të këndshëm dhe miqësorë’, tha Kinga Matuszewska, një tjetër artiste, e cila studion arkitekturën në Poznan dhe që është pjesë e këtij projekti që synon të ngjallë fshatin bullgar.
Vendorët, të cilët për Reuters pozuan shumë të lumtur përpara këtyre muraleve në fshatin e tyre, shpresojnë se këto vizatime në murale do të joshin turistët, të nxisin ekonominë dhe të ngjallin këtë fshat, në të cilin ka rënë edhe numri i popullsisë, pas rënies së komunizmit në Bullgari në vitin 1989 dhe në krejt fshatin kanë mbetur më pak se 500 banorë.
Taro Zhelezare, është një nga fshatrat më të varfra në Bashkimin Evropian, të cilin po e braktisin shumë të rinj, për të gjetur një të ardhme më të mirë se aty. /KultPlus.com