“Muzat e Akropolit” po vijnë, Merita Harxhi Koci sonte do të prezantojë koleksionin e saj më të ri (FOTO)

25 Korrik, 2022 - 4:09 pm

Merita Harxhi Koci është gati për të shpalosë koleksionin e saj të fundit, koleksion që do të prezantohet sonte, fiks në ora 19:00, mëson KultPlus.

Merita Harxhi Koci shprehet të jetë e ngazëllyer për punën e fundit që ngërthen një koleksion të tërë, e që për emër ka “Muzat e Akropolit”, koleksion që është frymëzuar nga monumenti ikonë Akropoli, apo Shkëmbi i Shenjtë, sikurse që quhet nga shumëkush, një vend që personifikon demokracinë, filozofinë, teatrin, lirinë e shprehjes dhe fjalës.

“Athina dukej si një vend i përsosur për të realizuar këtë fotosesion. Ne kemi punuar shumë për të realizuar këtë koleksion, dhe për këtë jemi shumë të emocionuar, pasi që tashmë jemi në prag të prezantimit të koleksionit tonë të ri, e që është realizuar në qytetin e bukur të Athinës”, ka thënë Merita Harxhi Koci për KultPlus.

Merita Harxhi Koci

Koleksioni që do të prezantohet vetëm online në faqen e disenjatores Merita Harxhi Koci, përfshinë 12-të fustane, dhe sipas saj, të 12-të fustanet janë me stil individual, duke filluar prej luleve, gurëve të çmueshëm e deri te detajet e ndërlikuara. Me një fjalë, këto 12 fustane kanë diçka të veçantë për secilën.

“Ne falënderojmë ekipin tonë, sikurse që falënderojmë edhe ekipin e fotosesionit për gjithë punën e tyre të palodhur”, ka thënë Harxhi Koci, duke specifikuar se ky koleksion është kaq i bukur, falë edhe përkushtimit të ekipit përfshirës në këtë koleksion.

“Shpresojmë që të ju pëlqejë edhe të tjerëve, po aq sa kemi qenë të përkushtuar ne”, ka thënë për fund Merita Harxhi Koci, e cila njihet si një ndër disenajtoret më të përkushtuara në vend. Merita Harxhi Koci, përpos ateliesë së saj në Prishtinë, ajo së fundi ka hapë edhe një pikë tjetër të shitjes në Shkup të Maqedonisë së Veriut. / KultPlus.com

Të ngjajshme