Muzeu Dioqezan i Shkodrës, historia kishtare në objekte e dokumente (FOTO)

8 Tetor, 2018 - 9:00 pm

Muzeu Dioqezan i Shkodrës, një objekt shumë i vlefshëm dhe tërheqës për të kuptuar më tej historinë e Shqipërisë dhe çastet e errëta të saj në lidhje me fetë, është tashmë një atraksion i veçantë në suazën e Turizmit Religjioz në Shqipëri.

I ndodhur në Katedralen Katolike të Shën Shtjefnit në Shkodër, ky muze mbledh, ruan dhe e bën të arritshme trashëgiminë historike në lidhje me besimin dhe kulturën e popullit shqiptar.

Objektivat kryesore janë: të mbledhë sende që u përkasin kishave dhe institucioneve të tjera kishtare, të cilat kanë interes historik, artistik dhe fetar; ruajtjen, mbrojtjen, studimin, dokumentimin, rritjen, interpretimin, përmirësimin, promovimin, në dobi të publikut, trashëgiminë historike dhe artistike të kishave të dioqezës.

Në këtë muze organizohen ekspozita të përkohshme për të përmirësuar koleksionet e tyre dhe trashëgiminë e artit të shenjtë në dioqezë; promovohen projekteve edukative që synojnë audienca të ndryshme, si dhe bashkëpunime me muze të tjerë.

Objektet e ekspozuara janë të rralla, ashtu si edhe lidhja e besimit katolik me Shkodrën, simbolika që kanë gjetur vend në këtë Muze.
Komunizmi ishte një nga periudhat e errëta që kaloi vendi, e ku feja vuajti pasoja të rënda me persekucionin e egër 50 vjeçar. Në muze hapësira që i është kushtuar këtyre viteve është sa përshkruese, aq edhe mistike, siç në vetvete është besimi që ka shoqëruar në ato vite shqiptarët.

Kolë Idromeno është artisti që me Shkodrën e ka emrin të pandarë, por gjurmët që la në këtë qytet janë të forta edhe në katedralen e “Shën Shtjefnit”.

Kati i dytë i Muzeut ka një kombinim unik për nga historia, pasi aty gjenden objekte si kryqe, kambana, veshje, apo dokumente të vjetra të meshtarëve të njohur që dhanë shumë për vendin.

38 Martirët që u lumturuan më 5 nëntor 2016 e fesë kanë këndin e tyre në këtë Muze. Mbyllja i është kushtuar Kishës Katolike në 1990 me meshën e parë në Shkodër që riktheu lirinë e besimit pas viteve të errëta të komunizmit dhe ecjes 25 vjeçare në rrugën e ringritjes. /k.s/KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme