Muzeu Historik Kombëtar, destinacion i turistëve të huaj

8 Gusht, 2019 - 4:00 pm

Muzeu Historik Kombëtar vijon të mbetet atraksioni kulturor dhe historik për vizitorët vendas dhe të huaj edhe për këtë 7-mujor të parë të vitit 2019. Këta muaj shënuan edhe numrin më të madh të vizitorëve për 5 vitet e fundit, veçanërisht të turistëve të huaj duke shënuar rritje me 35% krahasuar me muajt janar-korrik të një viti më parë.

Kështu, sipas të dhënave të bëra publike nga Muzeu Historik Kombëtar, ky i fundit për periudhën Janar – Korrik 2019 ishte destinacion i 32.614 vizitorëve, ose 18 % më shumë vizitorë se 7 mujori i parë i 2018-ës.

Muzeu Historik Kombëtar thekson se është shënuar rritje edhe nga vizitat e turistëve të huaj. Në 7 muaj ky muze u vizitua nga 21.658 turistë të huaj, ndërsa në janar-korrik të 2018-ës numri i tyre ishte 16.058.

Turizmi gjithashtu shihet dhe si shtyllë ekonomike mjaft e rëndësishme dhe për këtë totali i  të ardhurave për janar- korrikun e 2019-ës është rritur me 18 % më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në mjediset e muzeut gjenden rreth 4750 objekte, të cilat i përkasin një periudhe të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Muzeu ekspozon pasuritë e tij nëpërmjet tetë pavijoneve. Pavijoni i Lashtësisë është nga më të pasurit në Muzeun Historik Kombëtar, me afro 400 objekte të ndryshme.

Objektet e paraqitura nisin me paleolitin e vonë, ku kultura prehistorike dëshmohet e gjallë dhe e fuqishme në trojet tona. Në stendat e muzeut gjenden objekte që i përkasin epokës së Bronzit (2100-1200 para Krishtit) si dhe objekte të epokës së Hekurit (1200-450 para Krishtit), periudha këto që përvijojnë tiparet e ilirëve. /KultPlus.com

Të ngjajshme