Muzeu i Artit Mesjetar restauron ikonën “Zbritja në ferr”

11 Prill, 2024 - 8:55 am

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar (MKAM) njoftoi se ka përfunduar procesi i restaurimit të ikonës “Zbritja në ferr” (IN 4888).

Ikona e pikturuar mbi një panel monolit prej arre ka qenë pjesë e regjistrit të sipërm të një ikonostasi. Ajo bën pjesë në ciklin e Festave të Mëdha dhe është punuar me mjeshtëri të lartë artistike. Pjesa më e madhe e sipërfaqes është punuar mbi ar dhe për këtë arsye ka pësuar humbje të konsiderueshme të shtresës pikturale.

Ikona tregon Krishtin i cili ka zbritur në ferr dhe paraqitet duke ngritur nga varret Evën dhe Adamin. Prapa tyre shihen profetët e Dhiatës së Vjetër dhe një turmë njerëzish në humnerat e errëta të ferrit. Në krahun tjetër paraqiten Johan Pagëzori, Profeti David dhe profetë të tjerë.

Ushta e Krishtit ngulet mbi syrin e Djallit, e ai qëndron triumfues mbi portat e shqyera të ferrit duke mposhtur vdekjen. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme