Muzeu Ikonografik “Onufri”, mirëpret 2486 turistë në ditët e para të shtatorit

11 Shtator, 2018 - 2:30 pm

Berati, edhe këtë vit ka tërhequr turistë të huaj e vendas, të cilët e vizitojnë qytetin për vlerat e tij historike, arkitekturore, por edhe për kulturën e pasur që ka ruajtur prej më shumë se 2 mijë vjetësh.

Vetëm në nëntë ditët e para të muajit shtator, Muzeun Ikonografik “Onufri” e kanë vizituar 2486 turistë, nga të cilët 1700 kanë qenë të huaj. 583 ka qenë numri i vizitorëve në datën 5 shtator të cilëve u është shërbyer falas.

655 vizitorë kanë vizituar Qendrën Muzeore Berat, në datën 5 shtator me rastin e 2-vjetorit të shenjtërimit të Gonxhe Bojaxhiut – Shën Tereza.

Vizitorët kanë qenë të kombësive të ndryshme nga Polonia, Italia, Gjermania, Franca, Çekia, Sllovakia dhe Holanda.

Muzeu Kombëtar Onufri në Berat është përshtatur në ambientet e Kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, në Kalanë e Beratit që prej 27 shkurtit të vitit 1986.
Muzeu mban emrin “Onufri”, njëri prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shek. XVI. Kisha është rindërtuar në vitin 1797 në lagjen Kala, ka qenë katedralja e qytetit e cila është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pas Bizantine në qytetin e Beratit.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej mëse 1500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë, dhe të qytetit të Beratit, ku 106 janë ikona dhe 67 janë objekte liturgjike, dhe u përket piktorëve ikonografë shqiptarë që kanë krijuar në shekujt XIV – XX: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpatarakut dhe Çetirët (Gjergji, Nikolla, Johani, Naumi, Gjergji i riu), dhe të shumë piktorëve të tjerë anonimë.

Ikonabartësin e katedrales së Beratit e ka gdhendur mjeshtër Naumi nga Lavdari i Oparit dhe mjeshtër Stefan Barka nga Misrasi i Oparit, në mesin e shekullit të XIX. /ata

Të ngjajshme