Ndahen çmimet “Ibrahim Kodra” për të rinjtë shqiptarë

26 Prill, 2022 - 10:29 am

Jepen katër çmime “Ibrahim Kodra” për të rinjtë shqiptarë. Në konkursin e organizuar nga “Fondacioni “Ibrahim Kodra” në Milano, në bashkëpunim me Galerinë e Artit Tiranë, u ndanë çmimet “Ibrahim Kodra”.

Në këtë konkurs të ideuar me rastin e 104-vjetorit të lindjes së piktorit shqiptar me famë ndërkombëtare, Ibrahim Kodra, arti i të cilit njihet në të gjithë botën, morën pjesë të rinj nga e gjithë Shqipëria.

Janë kryesisht nxënës  të shkollave të mesme artistike nga e gjithë Shqipëria, të cilët prezantohen me mbi 70 punime në pikturë, të realizuara në teknika të ndryshme.

Gjatë këtij eventi, i cili përkoi me ditën e ditëlindjes së post-kubistit shqiptar, çmimi i parë iu dha Orianda Priftit nga Liceu i Tiranës. Çmimi i dytë shkoi në Shkodër për të riun Endris Hysa dhe çmimin e tretë e fitoi Mikela Taragjini.

Ndërkaq gjatë konkursit u nda dhe një çmim special për Sindi Thartorin. Këto çmime u mundësuan nga fondacioni “Ibrahim Kodra” që mban emrin e piktorit, me seli në Milano të Italisë.

“Ky aktivitet organizohet për të mbajtur gjallë emrin e Ibrahim Kodrës, por gjithashtu edhe për t’i qëndruar gjithmonë besnikë dëshirës së tij të madhe: “Të ndihmoj të rinjtë” – shprehet kryetari i fondacionit Fatos Faslliu. Këto punime, të cilat do të qëndrojnë të ekspozuara për më shumë se një javë në ambientet e Galerisë së Artit në Tiranë, janë përzgjedhur dhe kuruar nga kuratorja e ekspozitës Ina Elezi.

“Më vjen mirë që iu përgjigjën kaq shpejt dhe kaq shumë të rinj thirrjes sonë për të realizuar punime për çmimin “Ibrahim Kodra” dhe kjo është shumë shpresëdhënëse për artin shqiptar” thotë Elezi.

Ndërkaq sipas drejtorit  të GAT, Abaz Hado, ky event organizohet për të lartësuar emrin e një prej figurave më të njohura të artit shqiptar Ibrahim Kodrës, i cili edhe pse aktivitetin e tij artistik e kishte jashtë kufijve, asnjëherë nuk e harroi dhe gjithmonë e mbështeti Shqipërinë. / KultPlus.com

Të ngjajshme