Në Bibliotekën Kombëtare hapet ekspozita për Musine Kokalarin, shfaqen dokumentet origjinale të shkrimtares

1 Tetor, 2021 - 8:35 pm

Në ditën e pestë të Akademisë për Politika Publike dhe Sociale “Musine Kokalari” u hap ekspozita me dokumente origjinale të Musine Kokalarit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, të shoqëruar nga një ligjëratë për veprimtarinë e saj nga znj.Meliza Krasniqi, përcjell KultPlus.

Kjo ekspozitë u realizua nga Muzeu Kokalari me kontributin e znj.Bibika Kokalari.

Meliza Krasniqi e cila është e angazhuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës si bashkëpunëtore shkencore në Degën e Letërsisë, njëherit është studiuese e veprimtarisë dhe veprës së Musine Kokalarit. Ajo, para të pranishmëve në hapjen e kësaj ekspozite theksoi se Musine Kokalari ka qenë një personalitet mjaft i ndërliqshë, e cila, siç pohoi tutje Krasniqi, në jetën shqiptare njihet dhe çmohet si figurë në aspekte, dimensione dhe pamje të ndryshme.

”Aspekti i parë është prejardhja familjare. Aspekti i dytë ka të bëjë me atë intelektual – shkollimin. Aspekti i tretë është social. Rrafshi i katërt është kulturor, pra letërsia dhe i fundit lidhet me mi­sionin demokratik, pra politik.

Lexuesi dhe kritika kanë pasur qëndrime të anshme ndaj figurës së Musinesës, pasiv ndaj veprës e aktiv ndaj jetës. Ribalansim nuk ka pasur. Lexuesi, njëherësh kritik, ka trajtuar dhe përjetuar situatat dhe ngjarjet jetësore të Musi­nesë me entuziazëm, duke mos i bërë favor aspak diapazonit të saj letrar. Çështja e madhështisë politike përballë çështjes së shkrimit letrar pa nxjerrë në shesh aspektet e tjera, kanë bërë që Musine Kokalari të njihet, në radhë të parë, si një antikomuniste e burgosur dhe e internuar që vdiq e vetme nga kanceri i gjirit në Rrëshen”, theksoi Krasniqi.

Krasniqi, ndër të tjera deklaroi si Musne Kokalari Musine Kokalari ishte formuar në një familje të tillë, midis leximit të librave dhe dëgjimit të përrallave, muzi­kës së dëgjuar në gramafon dhe këngëve të dasmave, mi­dis ora­les dhe intelektuales, midis tradicionales dhe modernes. / KultPlus.com

Të ngjajshme