Në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave, Alketa Xhafa-Mripa: Ne e kemi marrë vulën në dorë

11 Tetor, 2019 - 3:56 pm

Nën tingujt e muzikës dhe nën rrezet e diellit është mbajtur instalacioni i artistes Alketa Xhafa-Mripa me titull “Kurrë s’je e re për me pri e me pru drejtësi” në amfiteatrin e Qendrës së Studentëve në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Ky instalacion i paraqitur sot në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve Vajza, ka për qëllim që t’i vetëdijësoj gratë dhe vajzat e reja që të jenë vendimmarrëse në shoqëri. Për këtë është krijuar një mural i madh ku shkruhet: “Kurrë s’je e re për me pri e me pru drejtësi” që është vendosur në një mur të amfiteatrit.

Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara në Kosovë Ulrika Richardson foli në hapje të këtij organizimi. Ajo u shpreh e lumtur me organizmin dhe pjesëmarrjen e të rinjve në këtë ngjarje.
“Ndihem shumë e lumtur që jam pjesë e këtij organizimi, dhe që shoh kaq shumë vajza e djem të rinj në këtë ngjarje”, tha ajo.
“Kjo ngjarje është ekskluzive dhe shumë e rëndësishme për vajzat e reja, prandaj i falënderoj organizatorët për këtë iniciativë”, potencoi Richardson.
Kurse artistja Alketa Xhafa-Mripa në fjalën e saj tha se këtë vepër e kanë jetësuar vajzat sepse ato i kanë bërë thëniet që janë ekspozuar.
“Është shumë me rëndësi që jeni bërë pjesë e veprës, sepse është diçka që ka me mbet. Janë disa thënie bazike, janë porositë e juaja, çka ju saktë dëshironi”, tha fillimisht ajo.

Tutje, Mripa-Xhafa tha se krejt kjo ide ka qenë një inspirim i çastit, që të organizojë një mural me thënie të vajzave të reja dhe t’u jepet atyre mundësia që të shprehen.
“Ne e kemi marrë vulën në dorë dhe jemi duke i dhënë porositë tona, është ditë e bukur dhe me plot ngjyra. Nuk është e thënë që vetëm kjo ditë të shënohet, por është e rëndësishme që thëniet dhe kërkesat tona të dëgjohen aty ku duhet”, tha Xhafa-Mripa teksa i ftoi vajzat që t’i vendosin thëniet në mur.

Disa nga thëniet që u vendosën ishin:
“Kurrë s’je shumë e re për të ndryshuar botën”
“Kurrë s’je e re me ngrit zanin e me iu thonë stop paragjykimeve”
“Kurrë s’je shumë e re m’i tregu aftësitë tua që nuk t’i vlerësuan!” /KultPlus.com

Të ngjajshme