Në Parlamentin Evropian ekspozohen punimet e kosovarëve

17 Janar, 2019 - 9:00 am

Në hapësirat e Parlamentit Evropian në Strasburg, gjatë ditës së sotme, është bërë hapja e ekspozitës “Bashkëjetesa Natyrore dhe Kulturore”, përkundër shumë përpjekjeve të shtetit serb për të kundërshtuar prezantimin e punimeve të kosovarëve.

Ekzemplarët e ekspozuar në këtë ekspozitë arti, përfshijnë punime të përzgjedhura nga punëtoria e Muzeut Kombëtar të Republikës së Kosovës. Të cilat më pastaj, janë sjellë nga Fondacioni Kodra, në kuadër të kësaj ekspozite. Ekspozita është mundësuar nga Ambasada e Kosovës në Bruksel, në bashkëpunim me eurodeputetin Ihlan Kyuchyk. Ku po ashtu është mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Fondacioni Kodra.

Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj ka thënë për KosovaPress, se ky projekt, tenton ta vendos shtetin e Kosovës, në vëmendje të Parlamentit Evropian.

“Kemi pas për qëllim që të prezantojnë punën e artistëve kosovarë. Ku në këtë rast ne kemi bashkëpunuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Fondacionin Kodra, të cilët kanë pasur një projekt të përbashkët me disa institucione në Kosovë. Duke përfshirë Muzeun e Kosovës, për të prezantuar bashkëjetesën kulturore dhe natyrore në Kosovë. Fotografitë dhe pikturat e ekspozuara këtu janë të ndërtuara rreth pikturës të famshme të Ibrahim Kodrës, për qytetin e ri, dhe rreth saj kemi fotografi që e kanë tregu disa nga objektet e trashëgimisë kulturore, të cilat gjenden në Kosovë, por edhe punën e fëmijëve rreth bashkëjetesës natyrore, dhe mënyrën se si ata e shohin natyrën në Kosovë. Unë besoj që ky projekt ka tentuar me vendos Kosovën në vëmendje të Parlamentit Evropian”, tha Nikaj.

Nikaj mes tjerash ka theksuar se gjatë këtyre ditëve ka pasur tendenca nga shteti serb për të penguar hapjen e kësaj ekspozite.

“Një iniciativë e tillë nuk kalon pa sensivitet politikë. Kemi pas letra nga kundërshtimet, të cilat janë dërguar nga misioni i Serbisë pranë Bashkimit Evropian, se pse bëhet kjo ekspozitë dhe si prezantohet trashëgimia kulturore. Mirëpo, këto kanë qenë tentativa, për të cilat ashtu siç e patë edhe ju, nuk e kanë pengu mbajtjen e ekspozitës”, ka shtuar Nikaj.

Eurodeputeti, njëherësh zëvendëspresident i Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve për Evropë, Ihlan Kyuchyuk tha se Kosova, si vendi me rininë më të re në botë është përplot energji dhe potencial.

“Sot, ekspozita është rezultat i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ambasada e Kosovës në Bruksel, Muzeu Kombëtar i Kosovës, me punimin e Ibrahim Kodrës. Punimi i Ibrahim Kodrës, transmeton mesazhin dhe është instrument i paqes dhe kulturës në Kosovë. Ky punim reflekton bashkëjetesën natyrore dhe kulturorë në Kosovë”, tha ai.

Kjo ekspozitë do të jetë e hapur gjatë tërë javës në hapësirat e Parlamentit Evropian. /KultPlus.com

Të ngjajshme