Në Shqipëri hapet ekspozita ‘Fituam jetën’ me punime të realizuara gjatë karantinës

10 Korrik, 2020 - 9:06 am

Periudha e karantinës gjatë pandemisë COVID-19 ka ndikuar edhe në jetën dhe veprimtarinë e artistëve, të cilët me punimet e tyre sjellin për artdashësit ekspozita me punime të realizuara gjatë izolimit, transmeton KultPlus.

Nën kujdesin e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë në Tiranë është hapur ekspozita me piktura me temë “Fituam jetën”, e artistit dhe kritikut të artit Abaz Hado.

Sipas autorit, simbolika e kohës në këtë ekspozitë lidhet me kohën e COVID-19, kohën e trëndafilave dhe kohën e “qyteteve pa jetë”, sidomos duke pasqyruar momente nga jeta gjatë karantinës.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, gjatë fjalës përshëndetëse në ceremoninë e hapjes tha se ekspozita hapet në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës.

“Në një periudhë shumë të vështirë kemi vendosur për të hapur këtë ekspozitë, në kohën e kornavirusit. Sa herë që ato (pikturat) janë në një ekspozitë të tillë ka akoma më tepër kënaqësi të veçantë për realizmin e kësaj ekspozite, për mesazhet që ajo përcjell, por qoftë edhe për idetë e realizimit të gjërave që na sjellin dhe bëjnë më të afërt me artin”, tha Koçi.

Ndërkohë, autori i ekspozitës, Abaz Hado, gjatë fjalës së tij, duke iu referuar edhe ngjarjeve nga jeta e tij tha se me anë të ekspozitës synonte të pasqyronte momentet gjatë karantinës.

“Ato shtëpitë tona janë kaq të rëndësishme, kaq të bukura dhe kaq të ëmbla, saqë ne nëpërmjet tyre përballojmë vazhdimisht dhe kemi ngushëllimet tona dhe ato kënaqësitë tona kur komunikojmë me njerëzit e dashur të familjes. Unë doja të sillja këtë eksperiencë se si ne përcjellim momentet e mbylljes. Shikoja se si qyteti nuk kishte më zë, nuk kishte më zhurmë dhe këtë jam përpjekur të sjellë”, theksoi Hado.

Ekspozita e cila përmban dhjetëra punime do të qëndrojë e hapur për rreth dy javë në mjediset Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë. / KultPlus.com

Të ngjajshme