Në Tiranë hapet ekspozita ‘1 Tetori i vitit 1997 në 36 fotografi’ (FOTO)

27 Nëntor, 2017 - 8:26 pm

“1 Tetori i vitit 1997 në 36 fotografi”. Në prag të 105-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, kjo është ekspozita, që u çel dje në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, për të përkujtuar demonstratat që u bën para 20 vitesh; në Prishtinë, Tetovë edhe Tiranë, për Luftën e Kosovës. Ishin 20 mijë studentë të Universitetit të Prishtinës, të cilët vërshuan nëpër rrugët e kryeqytetit për të protestuar kundër dhunës së egër, që ushtronte pushteti serb mbi popullin e Kosovës. Studentët të vendosur në atë që donin, arritën që t’u bënin ballë edhe kordonëve me hekura, që kishte vendosur policia serbe.

Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Albin Kurti dhe Driton Lajçi janë ish-drejtuesit e Lëvizjes Studentore, të cilët asokohe i dhanë përparësi lirisë së vendit, ndërsa sot vazhdojnë të kujtojnë sërish ato momente të vështira, të cilat ndikuan në kthesën historike të Kosovës, që mori emrin dhe vulën e UÇK-së. Nëpërmjet ekspozitës në MHK, e cila përcjell më tepër vlera historike sesa artistike, mendojnë që t’u tregojnë brezave që vijnë, se cila është rruga, që është ndjekur për të arritur lirinë.

Një ndër pjesëmarrësit e ish- Lëvizjes Studentore, Bujar Dugolli, (dekan në Universitetin e Prishtinës) ishte i pranishëm dje në Tiranë. Sipas tij, të jesh protagonist edhe historian të bën në mënyrë të vazhdueshme, pa u obliguar nga askush, që t’u tregosh gjeneratave të reja, atë që ka ndodhur në 1 tetor të vitit 1997. Dugolli mendon se protestat studentore të vitit 1997 kanë ndërruar rrjedhat e zhvillimeve politike në Kosovë, duke bërë jehonë të madhe ndërkombëtare.

Janë realizuar dhjetëra dhe qindra takime në periudhën shkurt – shtator 1997 për këtë Lëvizje, e cila ka pasur si përkrahje pa rezervë, por dhe me rezerva e kushte. Në këto takime me faktorë vendorë dhe ndërkombëtarë u janë dhënë këshilla dhe sugjerime. Sidoqoftë, ish-drejtuesit e Lëvizjes vendosën vetë për rrjedhën e asaj.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, realizimin e kësaj ekspozite e konsideroi shumë të rëndësishme, për betejat e mëdha, që janë bërë midis së mirës edhe së keqes.

“Kjo ekspozitë vjen në Tiranë, që Imazhet na njohin me protestën e studentëve që do t’i hapte rrugën masivizimit të UÇK-së por dhe të vetë ndërhyrjes së trupave të NATOS gjë që 2 vite më pas do të konkretizohej me tërheqjen e paramilitarëve dhe trupave të rregullta të ushtrisë serbe nga territori i Kosovës”, u shpreh drejtori i Muzeut Historik Kombëtar dr. Dorian Koçi, i cili për më tej u detajua rreth kushteve social-politike në të cilën u zhvillua protesta studentore e 20 viteve më parë. “Sot kur kohët kanë ndryshuar shumë në favor të shqiptarëve në tërësi, sfidat e reja që na presin kanë të bëjnë me qeverisje më të mirë, për liberalizimin e vizave në Kosovë, por dhe angazhimi i politikave mes Tiranës dhe Prishtinës për përmirësimin e statusit të shqiptarëve në Malin e Zi , Maqedoni e Serbi”. / KultPlus.com

Të ngjajshme