Në Tiranë shpaloset koleksioni i veprave të dhuruara nga artisti Jan Dibbets

30 Mars, 2019 - 5:49 pm

Në Galerinë Kombëtare të Arteve u prezantuan veprat e Jan Dibbets të cilët kanë udhëtuar drejt Tiranës 20 vite më parë, në kohë kur Kosova ishte në luftë ndërsa në Shqipëri kishte trazira, shkruan KultPlus.

Në Galerinë Kombëtare të Arteve në Shqipëri është hapur ekspozita “Urimet më të mira për 1999” nën kurimin e Arnisa Zeqos. Kjo ekspozitë prezanton për publikun koleksionin e veprave të dhuruara nga artisti Jan Dibbets në vitin 1999.

Pothuajse njëzet vite më parë , në vitin 1999, këto vepra të ekspozuara kanë udhëtuar drejt Tiranës nga bodrumi i Muzeut Stedeljik dhe nga studioja e artistit Jan Dibbets në Amsterdam. Sipas kuratorës Arnisa Zeqo me shumë gjasë ato kanë ardhur në Tiranë me kamionë ndihmash.

“Qytetin ato e gjetën në një psikogjeografi e një peizazh akustik shumë specifik. Ndërkohë që veprat po udhëtonin për në Tiranë, nga Kosova ishin nisur mbi gjysmë milionë refugjatë. Tirana po mblidhte veten nga ngjarjet traumatike të viteve 1997-1998”, tha Arnisa Zeqo.

Sipas Zeqos Galeria Kombëtare e Arteve ka një histori të pasur të koleksionimit të veprave të artistëve vendas, shumë prej të cilëve kanë krijuar gjatë periudhës së Realizimit Socialist ndërsa ekspozita e hapur sjellë një ndjesi krejtësisht ndryshe.

“Veprat e Koleksionit Jan Dibbets shkaktojnë ndjesi të kundërt me atë të koleksionit permanent, sepse vijnë nga situata krejt të ndryshme sociale e politike. Pikëtakimi mes këtyre dy situatave të ndryshme të koleksionimit, hap një rrugë të trazuar” shtoj më tej Zeqo.

Ajo vijoi më tej duke shtuar se kjo ekspozitë do të shërbejë edhe për të prezantuar për publikun disiplina të tjera të artit, si ajo e performancës nëpërmjet një programi edukativ dhe publik që do të zhvillohet përgjatë muajve të hapjes së ekspozitës.

 Për rendësin e kësaj ekspozitë bisedoi edhe Drejtori i Galerisë, Erzen Shkololli i cili ftoi publikun që të vizitojë ekspozitën e këtij koleksioni si dhe atë të artistit Sokol Beqiri “As Mik as Armik” e cila u hap ditë më parë në sallën e ekspozitave të përkohshme.

“Përveç njohjes me artin e prodhuar nga më shumë se 50 artistë në periudha të ndryshme kohore, këto ekspozita na prezantojnë dhe me situatën që po kalonin të dyja vendet, Kosova dhe Shqipëria në të njëjtin vit”, tha Shkololli.

Ekspozita “Urimet më të mira për 1999” me vepra të artistit Jan Dibbets do të qëndrojë e hapur deri më 22 shtator 2019./ KultPlus.com

Të ngjajshme