19 Qershor, 2025 - 2:23 pm
Nesër në Galeria17 do të bëhet hapja e ekspozitës “Artists of the Day After Tomorrow-Recording Transition (200202024)”, kuruar nga Miran Mohar dhe Fitore Isufi Shukriu. Kjo ekspozitë përmbledh Çmimin “Artistët e së Nesërmës” nga viti 2002 deri në ditët e sotme.
Fokusi i kësaj ekspozite është në atë, se si mund të ndërtohet dhe zhvillohet sistemi i artit. Pas çdo ndryshimi ose revolucioni pozitiv shoqëror, dita më e rëndësishme është ajo që vjen më pas, kur puna e përditshme e zakonshme duhet të kryhet larg vëzhgimit të publikut dhe medias.
Kjo ekspozitë vjen në kuadër të temës Arkivimi i Tranzicionit, që ëshë prej katër temave që Galeria 17 trajton brenda programit vjetor.
Datat e Ekspozitës dhe aktiviteteve përcjellëse:
20/06/2025 – 05/09/2025
Artists of the Day after Tomorrow
Kurator Miran Mohar dhe Fitore Isufi Shukriu
Arkivimi i Tranzicionit IV
Cikli i ekspozitave të Arkivimi i Tranzicionit (2022–2025) në Galeria 17 shënon përfundimin e një faze të rëndësishme të procesit të hulumtimit, dokumentimit dhe arkivimit të historisë së arteve pamore në Kosovë. Ky program ka përfshirë rivizitimin e ngjarjeve të mbi 25 vjeteve të ekspozitave dhe veprave artistike që kanë ndikuar në zhvillimin e skenës artistike vendore. Në kohën kur po e realizojmë këtë ekspozitë, Kosova përpiqet të lërë pas tranzicionin e gjatë dhe të vështirë që e ka shoqëruar vendin për dekada me radhë, duke punuar vazhdimisht për një fillim të ri të orientuar drejt progresit dhe afirmimit të kulturës. Në këtë kohë, Kosova po përjeton një zgjim kolektiv, ku të gjithë jemi dëshmitarë të nismave të vyera të institucioneve të artit dhe kulturës, qofshin ato të pavarura apo institucionale, të gjitha janë të angazhuara drejt vetnjohjes dhe vethistorizimit. Duket sikur artit dhe kulturës i ka ardhur koha të vlerësohen për historinë e vet, pa u skajuar, sikur rëndom ndodh nga ngjarjet e ndryshme poliktike e sociale në vend. Historikisht, arti në Kosovë është perceptuar si i dorës së dytë, i influencuar nga sfidat socio-politike. Megjithatë, hapja dhe lëvizja drejt të rejës dhe progresit ka treguar një gadishmëri kolektive për të sfiduar status quo-në dhe për të ndërtuar një rrugë të re për artin në vend. Nisma për organizimin e Çmimit për Artistë të Rinj – Artisët e së Nesërmës, në Galerinë Kombëtare në vitin 2002, është vetëm një dëshmi më shumë e përkushtimit dhe vullnetit të përgjithshëm për të sjellë ndryshime.
Ndërsa pranojmë natyrën e përkohshmërisë së këtij çmimi, synojmë të analizojmë trashëgiminë e tij të përhershme – të hedhim dritë mbi rrugëtimin e artit bashkëkohor në Kosovë – duke vlerësuar këtë iniciativë dhe të tjera të ngjajshme, si dhe artistët dhe veprat që kanë ndryshuar thellësisht mënyrën se si shikohet, krijohet dhe pranohet arti pamor në vend. Prodhimi artistik gjatë gjithë këtij kapitulli ka luajtur një rol vendimtar në formësimin dhe pasqyrimin e peizazhit kulturor në zhvillim të Kosovës.
Kjo ekspozitë bashkon materiale arkivore, deklarata artistësh, të dhëna mbi rrugëtimin e çmimit dhe libra të artistëve, duke ndërtuar një narrativë që feston të kaluarën dhe e dokumenton atë, edukon të sotmen si dhe guxon të imagjinon të ardhmen.
Artists of the Day after Tomorrow
Recording transition (2002-2024)
Kjo ekspozitë përmbledh Çmimin “Artistët e së Nesërmes” nga viti 2002 deri në ditët e sotme. Në vend që të fokusohet tek veprat ose artistët/et fitues/e, ajo vë në fokus ndikimin e këtij çmimi në zhvillimin e sistemit të artit në Kosovë. Pa dyshim, ky çmim, përveç iniciativave të tjera të rëndësishme (Exit dhe themelimi i Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë), ka kontribuar shumë në faktin se interesi për artin bashkëkohor si nga artistët ashtu edhe nga publiku, në Kosovë është rritur. Që në fillim, komisioni i vlerësimit përfshinte përfaqësues/e nga skena e artit në Kosovë dhe bota ndërkombëtare e artit. Kjo do të thoshte që kriteret për dhënien e çmimit nuk bazoheshin në kornizën e zakonshme e të errët kombëtare, tipike për vendet e dalura nga shpërbërja e Jugosllavisë. Çmimi “Artistët e së Nesërmes” është pjesë e programit “Young Visual Artists Award”, një rrjet ndërkombëtar i çmimeve që vepron në Evropën Lindore, Qendrore dhe Jugore që nga viti 1990, me Kosovën duke u bashkuar në vitin 2002. Me kalimin e viteve, ky çmim u bë një pikë e ndritshme në zhvillimin e sistemit të artit në të gjitha këto vende të reja. Interesante, iniciativa erdhi nga “jashtë”, që do të thotë se institucionet e artit nga ish-Jugosllavia nuk kishin mjaftueshëm vetëdije, njohuri dhe burime financiare për të prodhuar vetë një çmim të tillë. Përtej rëndësisë së tij si një ngjarje artistike, çmimi “Artistët e së Nesërmes”, i mbajtur nga viti 2002 deri në 2014, pavarësisht se u organizua nga një institucion publik, u bë një zë i fuqishëm në avancimin e kulturës së pavarur. Që nga viti 2016, çmimi organizohet nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor, si një institucion i pavarur dhe i besueshëm, i përkushtuar në vazhdimësinë e tij.
Gjatë procesit të realizimit të ekspozitës, pothuajse të gjithë fituesit/et janë takuar personalisht ose virtualisht. Bisedat me ta kishin për qëllim të kuptonin se si marrja e këtij çmimi dhe kalimi i kohës në Nju Jork – një qytet ku lindi arti bashkëkohor (falë Alfred Barr dhe MoMA-së), dhe ku sistemi i artit është shumë i zhvilluar – ka ndikuar tek ata.
Të kesh një vështrim të brendshëm dhe të jashtëm të skenës së artit bashkëkohor në Kosovë, siç ofrohej nga juria ndërkombëtare, ishte e rëndësishme. Në një kohë kur artistët e Kosovës pothuajse ishin të shkëputur plotësisht nga bota e jashtme, këta ekspertë të huaj të artit erdhën në vend dhe u dhanë atyre informacione të dorës së parë reth artit bashkëkohor. Ata gjithashtu përhapën lajme pozitive për cilësinë dhe vitalitetin e skenës së artit në Kosovë. I njejti proces u përdor për të zgjedhur përfaqësuesit/et për paviljonin kombëtar në Bienalen e Venedikut. Juria profesionale e ekspertëve të artit pa dyshim ndihmoi në sigurimin e cilësisë së lartë të projekteve dhe veprave si në bienalet e artit ashtu edhe në ato të arkitekturës.
Tani, artistët e Kosovës marrin pjesë rregullisht në ekspozita ndërkombëtare të mëdha, siç është Bienalja e Venedikut, dhe kanë marrë pjesë gjithashtu në Documenta në Kassel. Megjithatë, Manifesta erdhi në Kosovë vullnetarisht, duke njohur vitalitetin dhe cilësinë e skenës së artit vendor. Prizreni tashmë po organizon një bienale të re të artit bashkëkohor. Në institut i ri i Artit Bashkëkohor është hapur gjithashtu në Pejë. Një fondacion tjetër aktiv po kontribuon në gjallërinë e skenës së artit në Prishtinë, dhe po krijohen organizata dhe iniciativa të reja. Ekspozita “Artists of the Day after Tomorrow” po mbahet në një galeri që është zgjeruar nga një fondacion. Për më tepër, iniciativa të rëndësishme po zhvillohen aktualisht nga institucionet publike, siç është themelimi i Muzeut të Artit Bashkëkohor në Kosovë.
Që skena e artit të funskionojë dhe të zhvillohet, është thelbësore që sistemi i artit të punojë në mënyrë efektive me institucionet kombëtare, artistët dhe iniciativat private. Kjo përfshin krijimin e një sistemi cilësor arsimor për të gjitha profesionet e artit, si dhe prodhimin e organizuar të ekspozitave dhe teorisë
së artit. Gjithsesi, grantet duhet të jenë gjithashtu të disponueshme për artistët dhe profesionistët e tjerë të artit dhe veprat e artit duhet të blihen rregullisht për koleksionet publike dhe private. Pa një ekonomi arti funksionale, skena e artit nuk mund të shpresojë për sukses afatgjatë.
Fokusi i kësaj ekspozite është në atë, se si mund të ndërtohet dhe zhvillohet sistemi i artit. Pas çdo ndryshimi ose revolucioni pozitiv shoqëror, dita më e rëndësishme është ajo që vjen më pas, kur puna e përditshme e zakonshme duhet të kryhet larg vëzhgimit të publikut dhe medias.
Tahar Alemdar (2002), Jakup Ferri (2003), Kadër Muzaqi (2005), Fitore Isufi – Koja (2006), Fatmir Mustafa – Karllo (2007), Bekim Gllogu (2008), Miranda Thaqi (2009), Loreta Ukshini (2010), Astrit Ismaili (2011), Majlinda Hoxha (2012), Artan Hajrullahu (2013), Doruntina Kastrati (2014), Arbërore Sylaj & Dardan Zhegrova (2016), Meriton Maloku (2017), Qëndresa Deda (2018), Somer Şpat (2019), Brilant Milazimi (2020), Enxhi Mehmeti (2021), Agrina Vllasaliu (2022), Renea Begolli (2023), Mimoza Sahiti (2024).
Në vitet 2002-2014, Çmimi Artistët e së Nesërmës është organizuar nga Galeria Kombëtare e Kosovës, Qendra për Art Bashkëkohor, e mbështetur nga Fondacioni Soros – KFOS dhe Zyra amerikane në Prishtinë.
Nga viti 2016, Çmimi Artistët e së Nesërmës organizohet nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë dhe Residency Unlimited në Nju Jork, e mbështetur nga The Trust for Mutual Understanding (TMU) në Nju Jork./ KultPlus.com