New York Times shkruan për artistin kosovar

18 Tetor, 2017 - 8:20 pm

“Adhuruesit e artit mund të mos e mendojnë Kosovën si vend ku ka inovacion artistik, por kjo galeri, e para nga Kosova që merr pjesë në këtë panair, mund t’ua ndryshojë mendjen. Galeria ‘LambdaLambdaLambda’ është në Prishtinë, vend që ka një prej popullsive më të re në Europë”.

Kështu e nis gazeta amerikane New York Times shkrimin e sotëm për pjesëmarrjen e një kosovari në një prej panaireve më të mëdha të galerive në botë, Panairi Ndërkombëtar i Artit Bashkëkohor (FIAC).

Që popullsia e Kosovës është e re, reflekton edhe fakti që një prej kreatorëve të galerisë, Dardan Zhegrova, është në vitet e tij të 20-ta, ashtu siç është partnerja e tij, Tatjana Danneberg, nga Austria.

Gazeta e famshme amerikane i hedh një sy edhe stilit të punës së Zhegrovës. “Puna e tij zbulon skulptura nga pëlhura, që rrinë në një çoshe të dhomës sikur të jenë të rraskapitura për t’u ngritur. Në anën tjetër, maskat e vizatuara të lepujve apo videot e stilizuara bukur ai i quan poema vizuele”, shkruan NYT.

Në këtë panair, të 44-in me radhë do të paraqiten 193 galeri nga 29 shtete, nga data 19 deri më 22 tetor. / KultPlus.com

Të ngjajshme