19 Maj, 2025 - 2:29 pm
Qendra për Hapje dhe Dialog sjell në Tiranë një nga ekspozitat më të rëndësishme të çelura ndonjëherë në kryeqytet.
Ekspozita e titulluar “Nga bohemizmi, te përjetësia”, ekspozon veprat e disa prej artistëve më të famshëm të artit pamor ndërkombëtar si: Amedeo Modigliani, Henri Matisse, Edgar Degas, Tamara de Lempicka, Kees van Dongen etj.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale disa pamje nga kjo ekspozitë e cila do të hapet pasditen e sotme për publikun.
“Për një ekspozitë unikale në COD, Qendra për Hapje dhe Dialog në Kryeministri”, shkruan Rama për ekspozitën, e cila vjen në bashkëpunim me Fondacionin MTA dhe Ambasadën e Izraelit.
Koleksioni që paraqitet në COD ka vepra nga Arti Modern, Fovizmi, Art Deco, Avant-Garde etj., pa të cilat do të ishte e pamundur të imagjinohej historia e artit botëror.
Holandezi Kees van Dongen dhe italiani Amedeo Modigliani ishin të lidhur ngushtë me Francën dhe përfaqësohen me kryeveprat e tyre: Van Dongen me një portret spektakolar të Marcelle Léoni, dhe Modigliani me portretin e suedezes së re, Annie Bjarne.
Skulpturat zënë gjithashtu një vend të veçantë në koleksion, duke filluar me bronzin e bukur “Vallëzuesja e vogël katërmbëdhjetëvjeçare”, e veshur me tutu prej pëlhure, nga Edgar Degas, i cili krijoi shumë kryevepra me temën e baletit.
Një eksperiment skulpturor i guximshëm nga Henri Matisse, Aurora prej allçije të lyer me bronz, është një vepër e rëndësishme në koleksion.
Diversiteti i koleksionit pasurohet nga grupi i shquar i artistëve përparimtarë hungarezë, përfshirë Bela Kadar, Lajos Tihani, Csaky dhe Hugo Scheiber. Edhe përfaqësuesit e avangardës gjermane janë të shumtë: Hanns Bolz, Henrich Nauen, Max Ackermann, Friedrich Gotsch, Boris Kleint, Oscar Moll dhe e famshmja Gabrielle Münter./ KultPlus.com