Një çift puthet në Romë dhe Sislej Xhafa e prezanton punën artistike në Paris (VIDEO)

25 Shtator, 2017 - 5:35 pm

As ai vetë ndoshta nuk mund të mbajë në kujtesë çdo ekspozitë në të cilën prezantohet së paku një punë e tij artistike.

Sislej Xhafa, kësisoj, një ndër artistët shqiptarë më të pranishëm në skenën botërore të artit, është i pranishëm në ekspozitën e radhës – Continua Spheres Ensemble.

“Skinheads Swimming”, punë e vitit 2002, sjellë një video të një çifti duke u puthur në Fontana Di Trevi në Romë. Videoja e risjellë skenën ku Anita Ekberg lahet në këtë fontanë, në filmin e njohur “La Dolce Vita”. Ekberg dhe Mastroianni zëvendësohen kësisoj me një çift skinheads- zakonisht njerëz që konsiderohen më agresivë dhe me prerje flokësh më të shkurta.

Pamja menjëherë e kundërshton natyrën e këtyre njerëzve, me një çift që bën dashuri plot pasion në fontanën e njohur.

Me këtë punë Xhafa deri më 19 nëntor është pjesë e ekspozitës “Continua Sphères ENSEMBLE”, në Cent Quatre Paris, shkruan KultPlus.

Xhafës në ekspozitë i bashkohen edhe Ai Weiwei, Anish Kapoor, Moataz Nasr, Leila Alaoui e artistë të tjerë. Ekspozita do të jetë falas për Nuit Blanche, me datë 7 tetor, ndërsa sipas faqes zyrtare e njëjta punë do të transmetohet edhe në kuadër të FIAC – Panairi Ndërkombëtar i Artit Bashkëkohor që mbahet në Paris nga 18 e deri me 22 tetor, një nga më prestigjiozët në Evropë.

Xhafa në anën tjetër para disa ditësh ishte i pranishëm edhe në një ekspozitë në Gjenevë, me titullin “Mal A Ta Vie”. Xhafa po përfaqësohet momentalisht nga Galleria Continua. / KultPlus.com

Të ngjajshme