Një ekspozitë për “Gjyqet” e diktaturës vjen në Muzeun “Marubi”

21 Dhjetor, 2023 - 1:28 pm

Muzeu “Marubi” në bashkëpunim me Agjencinë Telegrafike Shqiptare do të çelin së shpejti ekspozitën “Gjyqet”. Ekspozita vjen si një hulumtim nga kuratorët Zef Paci, Luçjan Bedeni dhe Lek M. Gjeloshi.

E themeluar në vitin 1920, si Zyra e Parë e Shtypit, në Shqipëri, menjëherë pas çlirimit (29.12.1944), ky institucion u shndërrua në ATSH (Agjencia Telegrafike Shqiptare), institucioni i vetëm informativ i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë gjatë diktaturës, që kishte si synim përhapjen e informacionit zyrtar mbi veprimtarinë ideologjike, politike, ekonomike, kulturore e shoqërore që zhvillohej në Shqipëri, si dhe mbi ngjarjet politike në botë.

Ekspozita që do të çelet më 29 dhjetor, përdor nga ATSH-ja vetëm imazhet fotografike të një periudhe dhe procesi të posaçëm, duke u mbështetur në një paradoks që flet sa për një kohë të caktuar, aq edhe për fotografinë. Është zgjedhur një periudhë politike (1945-1961), kohë kur diktatura shfaqte hapur qëndrimin e saj agresiv e kërcënues kundrejt personave që kishin një qëndrim ndryshe, duke mbjellë një ndjenjë frike e pasigurie ndaj njerëzve dhe duke rritur pacënueshmërinë e plotfuqinë e saj.

Sot, ky akt regjistrimi fotografik, na tregon padyshim edhe një pikëpamje tjetër: nxjerrjen në pah të diçkaje që nuk kishte ndërmend të shfaqte; një gjyq të fotografisë së gjyqeve.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun nga pasditja e 29 dhjetorit 2023 deri më 24 mars 2024. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme