Një linjë e munguar në Kosovë, “Duende” vjen me një stil unik dhe të guximshëm

14 Dhjetor, 2020 - 1:15 pm

Jeta Zymberi

Një stil i guximshëm i Kaltrina Hazirit i shkrirë nga talenti i disenjatores Labentinë Shala, sjell si rezultat një linjë të re veshjesh në Kosovë.

“Duende”, prezanton një harmoni të bukur midis ngjyrave të heshtura të tokës dhe prerjeve interesante, duke i dhënë kështu një kthesë veshjeve të përditshme, që duke i shtuar vetëm pak stil ato shndërrohen në veshje për çdo kohë, shkruan KultPlus.

Nën sloganin “Vish Duende! Bëhu i përjetshëm”, kjo linjë sjell vetëm një krijim për secilin model, andaj mundësia që ju të dukeni unik, është më e lartë përmes këtyre veshjeve.

Për këtë koleksion ku dominojnë krijimet e palltove dhe xhaketave, dyshja u frymëzua nga një gjendje e lartë emocionesh, shprehjeje, autenticiteti dhe ideja e krijimit të modës pa kohë dhe pa stinë.

Për Kaltrinën, krijuesen e kësaj linje, moda është mënyrë e shprehjes së identitetit dhe si e tillë ka qenë gjithmonë pjesë e pandashme e punës së saj, duke e ushqyer kështu te ajo dëshirën për të filluar edhe me krijime.

Ndërsa puna e saj për 4 vite si autore e emisionit të modës “Fashionista” i ka mundësuar një qasje më të thellë “brenda” fushës së dizajnit e cila padyshim ka rritur pasionin dhe përkushtimin.

“Të qenurit në dijeni për të rejat e modës dhe në vendin tonë, më ka bërë të shoh më qartë mangësitë dhe nevojat e tregut. Për më tepër, jam nisur nga vetja por edhe me mendimin e shumë miqve, pasi tek ne mungon një linjë “Ready to wear” e cila ofron veshje, për më tepër modele të cilat do të jenë të përshtatshme për çdo lloj fiziku, shumë të rehatshme dhe unike njëkohësisht”, është shprehu Kaltrina për KultPlus.

“Duende” vjen si një linjë me krijime unike të cilat janë lehtë të tranformueshme në stil, por për Kaltrinën emërtimi nuk ishte i lehtë. Duke dashur një emër që përveç veçantisë përcjellë edhe emocione pozitive dhe një emër që do ta përkufizonte më së miri mesazhin e linjës.

“Pjesa kur duhej të gjeja një emër për linjën, sigurisht se nuk ishte e lehtë. “Duende”, që si term do të thotë lirshëm të kesh shpirt, një gjendje të ngritur emocionesh, shprehjeje dhe vërtetësie. Në konceptin e artit spanjoll, është aftësia për të tërhequr të tjerët përmes magnetizmit dhe sharmit personal”, shpjegon kështu Kaltrina.

Duke parë emancipimin e rinisë tonë në sjelljet e tyre, botëkuptimin dhe sidomos mënyrën e të veshurit, tendencë kjo që nxitet nga dëshira e brezave të sotëm për të qenë sa më shumë unik, “Duende” padyshim është një linjë e munguar në vendin tonë.

“Për mua veshja nuk është thjesht fasadë, por lëkurë e dytë ku përtej asaj që shohim, çdokush prej nesh shfaq personalitetin nëpërmjet saj.”

Por, linja vjen falë kimisë së përbashkët në mes të Kaltërinës dhe disenjatores dhe “Duende” nuk do të nisej nëse ato nuk do e njihnin njëra tjetrën.

“Fillimisht u njoha me krijimet e disenjatores së re krejt të veçanta, me një frymë ndryshe dhe një stil origjinal. Thjesht, pash që Labentina ka një lidhje shumë të fortë me artin, dizajnin, format dhe ngjyrat. Kështu përfundova duke i bërë ftesë për bashkëpunim. Besimi i Labentinës më mbushi dhe menjëherë i dhamë drejtim punës sonë të përbashkët”, tregoi kështu Kaltrina për mënyrën e bashkëpunimit.

Disenjatorja Labentinë Shala e konsideron këtë linjë adekuate për gratë dhe vajzat në lëvizje, ato që mbi të gjitha guxojnë të eksperimentojnë dhe kanë sens të stilimit kreativ.

“Duende sjell plot freski e mënyra të reja prezantimi të veshjeve. E kemi nis me plotë inspirim dhe gjithçka ka vijuar me po të njëjtin entuziazëm. Për mua dhe Kaltrinën ka qenë shumë e rëndësishme konsiderata ndaj impaktit të industrisë së modës në ambient, andaj edhe mënyra jonë e krijimi është “slow fashion”, në një formë edhe si revoltë ndaj modës  modës së shpejtë ose “fast fashion””, thotë disenjatorja.

“Duende” u promovua përmes një video dhe një sesioni fotografik, të realizuar me mjeshtëri nga agjensioni kreativ “Tatamata”. Ju kujtojmë që koleksioni i parë i “Duende” tashmë është në shitje, dhe gjendet në dyqanin “Komono” në Prishtinë. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme