Një portret unik i Da Vinçit zbulohet në Angli

2 Maj, 2019 - 5:10 pm

Një skicë e pabotuar që shfaq Leonardo da Vinçin, e bërë ndoshta nga një prej asistentëve të tij, u bë e njohur sot në Angli, në ditën e 500-vjetorit të vdekjes së gjeniut të Rilindjes.

Kjo vepër që nga vlerësimet daton ndërmjet viteve 1517 dhe 1518  është një nga dy portretet e Leonardo da Vinçit të bëra gjatë jetës së tij dhe që i ka rezistuar viteve.

Një tjetër vepër e famshme është vepra e Francesco Melzi, dishepullit të tij më besnik. 

”Të dyja këto vepra do të paraqiten në publik në një ekspozitë të madhe kushtuar Da Vinçit në Pallatin Buckingham, nga 24 maji deri më 13 tetor”, tha në një deklaratë për Trustin e Koleksionit Mbretëror, organi përgjegjës për ruajtjen e trashëgimisë mbretërore. 

Gjatë kryerjes së hulumtimeve për t’u përgatitur për këtë ekspozitë, Martin Clayton, përgjegjësi i pikturave dhe vizatimeve në Trustin e Koleksionit Mbretëror, identifikoi portretin që u kishte shpëtuar syve të botës. 

”Skica është ndoshta e bërë nga një asistent i paidentifikuar i Leonardos në një fletë studimi, në të cilën janë edhe skica të këmbëve të kalit të bëra nga Da Vinçi”, shpjegon Trusti i Koleksionit Mbretëror.

”Nëse e krahasoni këtë skicë me portretin e Leonardo da Vinçit nga Francesco Melzi, ka indikacione të forta se ajo është gjithashtu një përfaqësim i Da Vinçit”, shpjegon Martin Clayton.

“Hunda elegante dhe e drejtë, vija e mjekrës që shkon diagonalisht nga faqja në vesh, flokë të gjatë kaçurrela”, shton ai.

“Në skicë, ai është rreth 65 vjeç dhe duket pak melankolik, i lodhur nga bota”, shton ai duke theksuar se veprat e tjera të mjeshtrit të bëra në të njëjtën kohë tregojnë se ambiciet e tij artistike ishin të paprekura.

Piktor dhe shkencëtar, i lindur në Vinçi më 15 prill 1452 nga një marrëdhënie e paligjshme midis një noteri të pasur dhe një fshatareje, ai vdiq më 2 maj 1519 në Francë në kështjellën e Clos-Lucé në Amboise./A.T.SH/ KultPlus.com

Të ngjajshme