Nxënësit në Shqipëri realizojnë ekspozitë kundër bullizmit

14 Prill, 2019 - 4:21 pm

Nxënës nga 21 shkolla të Shqipërisë janë bërë së bashku për të realizuar ekspozitën “Një zë kundër bullizmit”. Kjo ekspozitë realizohet nga COD, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës në Tiranë, në kuadër të programit “Kundër Bullizmit dhe Ekstremizmit në sistemin arsimor”, shkruan KultPlus.

“Stop Bullizmit! Të gjithë ndriçojmë njësoj Të Bullosh nuk të bën më të mençur se sa një zog . Mos Bullo! Qëndroni të Bashkuar! Stop Bullizmit! Të gjithë ndriçojmë njëlloj!”, janë mesazhet që sjellin nxënësit në COD – Qendra për Hapje dhe Dialog në këtë ekspozitë me vizatime sensibilizuese.

 “Le ta marrim këtë nismë së bashku dhe të jetë kjo ekspozitë vetëm hapi i parë i këtij bashkëpunimi! Të vendosim mendjen dhe zemrën në këtë nismë të përbashkët! Falënderoj të gjithë ata që iu bashkuan nismës së COD, me videot e realizuara në fushatën “Një Zë kundër Bullizmit”, u shpreh Eridana Çano, drejtoreshë e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje.

Shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë Jutta Gutzkoë, vuri theksin tek rëndësia e nxitjes së një kulture gjithëpërfshirëse, të sigurt dhe demokratike në shkolla ku diversiteti respektohet, vlerësohet dhe festohet. Nxënësit pjesëmarrës në ekspozitë përmes ngjyrave dhe ideve sjellin mesazhe për paqe, tolerancë, unitet dhe respekt për diversitetin, si mënyra për të parandaluar dhe reduktuar fenomenin e bullizmit në shkolla.

Fushatës së COD “Një Zë Kundër Bullizmit” i janë bashkuar edhe emra të njohur të artit, kulturës dhe të shoqërisë civile si : Edmond Dragoti, Lorik Cana, Bledi Strakosha, Arlinda Dudaj, Arbër Hajdari, etj. përmes videomesazheve në kuadër të fushatës, e cila do të vazhdojë deri në fund të majit 2019. Ekspozita në COD do të jetë e hapur nga data 12-24 prill 2019./ KultPlus.com

Të ngjajshme