Obrist, harroje këtë histori me Edi Ramën

27 Shtator, 2017 - 9:18 am

Shkruan Vincent W.J. van Gerven Oei

Kuratori zvicerian Hans Ulrich Obrist, në një artikull të botuar më 18 shtator, në revistën e artit artsy.net, përpiqet në mënyrë të dëshpëruar të fitojë pikë duke shfrytëzuar kapitalin kulturor të artistëve të mirënjohur botërorë, të tillë si gjermani Joseph Beuys dhe kubanezja Tania Bruguera. Të dy artistët njihen për ndërhyrjet e tyre në politikë.

Në artikull, Obrist nuk le pa përmendur edhe Kryeministrin Edi Rama (dhe “mikun e tij të ngushtë Anri Sala”), “programin” e të cilit ne “duhet ta kuptojmë [..] në kuadër të skulpturës shoqërore të Beuys-it”.

Obrist qëllimisht harron se të dy artistët Beuys dhe Bruguera ishin pjesë e lëvizjeve opozitare kundër regjimeve konservatore apo diktaturës — Beuys ishte themelues i Partisë së Gjelbër gjermane, dhe Bruguera është kritike e njohur e regjimit kubanez.

Ndërsa Edi Rama është, në fakt, pjesë e qenësishme e klasës së politikanëve/oligarkëve të vetëpasuruar, i cili e përdor artin për të shmangur vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar nga politikat e tij shkatërruese, përmes “idiotëve të dobishëm” të tipit të Obristit.

Që Obrist nuk di asgjë për politikën bashkëkohore shqiptare është e qartë nga referenca që ai i bën projektit “pastrim dhe gjelbërim” të gati 20 vjetëve më parë kur Rama ishte kryebashkiaku i Tiranës.

Por Obrist injoron me dashje politikat aktuale të Ramës si “artisti në detyrë”, të cilat përfshijnë shkatërrimin e thesareve natyrore në të gjithë vendin, kthimin e Shqipërisë në hambarin e drogës së Europës dhe shndërrimin e Shqipërisë në një “kosh” për hedhjen e mbeturinave të vendeve të tjera.

Siç e kam thënë shumë herë më parë, në vend që të përdorë artin për të rishikuar dhe ndryshuar politikën, Rama është shembulli i dikujt që përdor gjuhën e artit bashkëkohor për t’u dukur “perëndimor”, “kozmopolitan” dhe “i civilizuar”: pra, përdor zhgarravinat e tij shumëngjyrëshe e pa kuptim për të maskuar fytyrën e shëmtuar të një regjimi grabitqar.

Do të ishte e udhës t’i kujtonim Obristit se në të njëjtën revistë ku ai ka publikuar banalitetin e radhës, është publikuar dhe një recesion i dy kritikëve të artit për punën e Edi Ramës. Ata shkruajnë se “për të qënë tërësisht të sinqertë, punimet nuk do të kishin shumë rëndësi nëse ato nuk do të ishin bërë nga Kryeministri i Shqipërisë”.

Ndoshta, ne mund të kemi nevojë për më shumë artistë në politikë, por ama qartësisht edhe për më pak politikanë në art./ KultPlus.com

Të ngjajshme