OKB nisë peticionin që po nënshkruhet me “selfie”

17 Gusht, 2018 - 4:28 pm

Mijëra fotografi pritet të shfaqen në një ekspozitë 3D në Kombet e Bashkuara në New York, si pjesë e lëvizjes e cila kërkon nga krerët e shteteve që të ndërmarrin veprime për të mbrojtur të gjithë civilët të cilët janë pjesë e konflikteve, përcjellë KultPlus.

OKB-ja është duke kërkuar nga njerëzit në gjithë botën të shtojnë emrat e tyre në një peticion, i cili kërkon nga liderët botërorë të mbrojnë civilët dhe punëtorët që ofrojnë ndihmë, mirëpo kësaj here jo me nënshkrime por me fotografi, selfie.

Imazhet në një version tredimensional do të publikohen në një strukturë xhami në ndërtesën e OKB-së, në atë që është cilësuar i pari “peticion i gjallë”.

“Është e paarsyeshme që civilët dhe punëtorët për organizata të ndihmave, vdesin dhe plagosen në zonat e konfliktit”, ka thënë drejtori i Zyrës së OKB-së për Koordinim të Çështjeve Humanitare, Mark Lowcock.

Ekspozita e OKB-së është pjesë e fushatës #NotATarget , përmes së cilës do të shënohet Dita Ndërkombëtare e Ndihmës Humanitare më 19 gusht. Ajo do të vazhdojë të jetë e hapur në ambientet e OKB-së deri në muajin shtator, kur pritet të mblidhen liderët botërorë në New York.


“Mijëra fytyra që do të jenë pjesë e peticionit të gjallë do të jenë aty për t’iu rikujtuar liderëve botërorë, obligimin e tyre ligjor për mbrojtjen e civilëve në konflikte”, është shprehur Lowcock, shkruan Reuters.

Pothuajse 32,000 civilë janë vrarë apo plagosur nga armët shpërthyese vitin e kaluar në zonat e konfliktit./ KultPlus.com

https://www.worldhumanitarianday.org/en

Të ngjajshme