Pajtim Osmanaj me tri murale që përfaqësojnë Kosovën, në rezidencën artistike të Facebook

24 Nëntor, 2019 - 6:19 pm

Me anë të programit rezidencial AIR të platformës Facebook, Pajtim Osmanaj ka krijuar tri murale që fokus kanë Kosovën.

Aristi nga Kosova i cili prej kohësh jeton e vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka shfrytëzuar programin Artist-in-Residence AIR që ndihmon në krijimin e projekteve eksperimentale artistike me qëllim bashkimin e komunitetit me anë të artit.

Pajtimi e ka titulluar projektin e tij “Metamorphic Memories”, instalacion me tri pjesë ku është përdorur letra dhe spreji për të vizatuar tri faza të jetës së Pajtimit.

https://www.instagram.com/p/B5Lg-fgljrE/?utm_source=ig_web_copy_link

Secili mural paraqit një kapitull në tregimin e Pajtimit si imigrant në Amerikë. Që prej ditëve të para të tij në Amerikë, kur ai punoi si notar rojë, deri te kujtimi i tij për malet e Kosovës, është inspirimi i Pajtimit në projektin që del si rezultat i rezidencës artistike, shkruan KultPlus.

“Kisha kënaqësinë të isha pjesë e këtij programi, duke krijuar tri murale që përfaqësojnë Kosovën, aty ku jetova para se të vija në Nju Jork. S’mund ta përshkruaj sa eksperiencë e nevojshme ka qenë kjo për mua, falenderoj të gjithë që besuan në punën time” ka treguar artisti në Instagram.

Me anë të një videoje, rezidenca artistike e ka prezantuar artistin me origjinë nga Kosova.

“Është vendi im në këto murale, por nuk janë pamje identike sepse ka kaluar kohë, dhe memoria ndryshon. Është letër e rrudhur që prezanton pamje të ndryshme nga Kosova” tregon Pajtimi.

Pajtimi në vitin 2013-të u largua për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që nga ajo kohë ka arritur suksese të mëdha në fushën e artit pamor. ArtNet në fillim të këtij viti i kushtoi një reportazh të veçantë punë së Pajtimit, i cili tundimin e tij për Kosovën nuk e lë asnjëherë jashtë punëve artistike. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme