‘Peizazhet’ e Sejdi Kapllanajt shpalosin vuajtjen dhe fortësinë e popullit shqiptar

20 Nëntor, 2018 - 10:00 pm

Arbër Selmani

Muret e galerisë janë të mbushura me peizazhe. Ato janë të bukura, por ti cilësosh vetëm si të tilla tingëllon ofenduese ndoshta, për artistin që i krijoi. Dy herë nga 365 ditë iu deshën Sejdi Kapllanajt që peizazhet, mbi 40 të tilla, ti përthekojë në një ekspozitë e cila sonte u hap në Prishtinë.

Në motin me shi të pasdites, në temperaturën 10 gradë jashtë, brenda në Galerinë e Ministrisë së Kulturës erdhën jo larg njëra tjetrës peizazhet e Kapllanajt, pjellë e imagjinatës së artistit dhe peizazhe që pos bukurisë, kanë brenda tyre vuajtje dhe histori shqiptare, getoizim shqiptar që ka nisur moti e që po vazhdon edhe sot.

“Të gjitha këto peizazhe janë vuajtja e popullit shqiptar ndër vite. Ka shumë vuajtje dhe mundim brenda tyre, por janë të gjitha të imagjinuara dhe më kanë ardhur si inspirim sidomos me stinën e vjeshtës. Ka dy vite që po punoj për këtë ekspozitë dhe sot jam i lumtur që këto ‘shkarravitjet’ e mia vijnë para publikut” tregon artisti Sejdi Kapllanaj për KultPlus.

Kapllanaj, me një bagazh prej rreth 25 ekspozitave personale, kësaj radhe ‘ateroi’ në Prishtinë, me peizazhet e tij ngjyra ngjyra, e shpesh edhe lineare, piktura në një vijë të drejtë që herë të japin përshtypjen se kanë një histori e skenar prapa tyre, e herë të duket se thjeshtë kanë humbur rrugën e janë parkuar në këtë galeri simpatike.

Siç thotë edhe kuratori i ekspozitës, subjekti i artistit në këtë ekspozitë është natyra, ashtu siç e ka krijuar Zoti.

“Kjo është ditë e madhe për artistin, pasi ai sjellë peizazhet e Dukagjinit dhe jo vetëm. Pjesa dërrmuese e këtyre pikturave variojnë nga stili ekspresionist abstrakt e deri te arti modern, ku gërshetohen këto forma” tregon Jeton Rexhepi, kurator i ekspozitës, i cili e ka bashkangjitur edhe një tekst kuratorial mbi këtë ekspozitë.
Në një formë, ekspozita është një stinë vjeshte që ka histori përmbajtësore të popullit shqiptar. Lisi është kryefjala, me fortësinë e tij edhe përkundër erërave dhe fortunave natyrore. Ai qëndron palëkundshëm.

Ekspozitën e ka përshëndetur edhe piktori Esat Valla, duke uruar që inspirimi i artistit Kapllanaj të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Kapllanaj ka lindur në Gllarevë të Klinës. Ekspozita e tij po vazhdon të qëndrojë e hapur në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë. / KultPlus.com

Të ngjajshme