Për nder të Tefta Tashko-Koços, piktura e saj do të ekspozohet në Londër

16 Gusht, 2018 - 10:50 pm

Eleganca dhe fisnikëria e këngëtares lirike, Tefta Tashko-Koço, e ka frymëzuar aq shumë piktoren Suela Pulaha-Brown sa ta sjellë figurën e saj për herë të parë të pikturuar.

Suelën e lidh shumëçka me Tefta Tashkon: vendlindja, studimet në liceun “Tefta Tashko” të Korçës në degën e pikturës, si edhe dashuria për artin.

Jetesa prej 15 vitesh në Angli nuk e ka zbehur aspak lidhjen e forte me Shqipërinë, përkundrazi, ajo dëshiron fort që arti shqiptar të promovohet në Britaninë e Madhe, e për ta bërë këtë ka zgjedhur figurën e këngëtares.

“Ndiej që në njëfarë mënyre ajo ka bërë një investim personal në jetën time. Dëshiroj që kjo figurë kaq e rëndësishme e kombit tonë të njihet edhe këtu në Angli, sepse dëshiroj që bota të fillojë të njohë edhe ato anë të bukura e pozitive të kulturës dhe të artit shqiptar”, tha Suela Brown, piktore, raporton Tch, transmeton Klan Kosova

Për pikturën e saj në përmasat 30 x 40 cm, Suela ka zgjedhur një foto të artistes, që për të e përfaqëson më së miri.

“Kjo foto është një foto shumë e veçantë, sepse mendoj që fotografi ka kapur personalitetin, botën dhe natyrën personale të kësaj artisteje dhe ka një modesti e një klasë shumë të madh brenda imazhit, kështu që kisha dëshirë ta përdorja atë foto”, tha më tej ajo.

Piktura do të ekspozohet për herë të parë për publikun londinez në një ekspozitë të rëndësishme në muajin dhjetor./KultPlus.com

Të ngjajshme