Përfundon edicioni i parë i festivalit “Prishtina Arts and Architecture Festival”

6 Maj, 2018 - 2:30 pm

Alberina Haxhijaj

Të premten në kuadër të “Prishtina Arts and Architecture Festival” është bërë ndarja e shpërblimeve për kategoritë të cilat kanë qenë në gara, ndërsa mbrëmë është bërë mbyllja e festivalit, shkruan KultPlus.

Hapja e festivalit është bërë me sfilatën e kreacioneve nga studentët e Fakultetit të dizajnit dhe modës, të mentoruar nga kreatore e njëkohësisht edhe profesoreshat në Universitetin AAB, Krenare Rugova dhe Albulena Borovci. Ndërsa gjatë dy netëve të para të festivalit janë shfaqur edhe 14-të filma pjesëmarrës. Në kuadër të festivalit është organizuar edhe konferencë e arkitekturës dhe po ashtu është mbajtur edhe një koncert i muzikës akuzmatike, kompozitore Donika Rudi.

Kurse festivali është përmbyllur mbrëmë, ku janë paraqitur veshjet autoktone të Kosovës, shoqëruar nga prezantimi-tradita e përgatitjes së ushqimit tradicional dhe degostimit. E po ashtu edhe me vizita të organizuara në Muzeun e Kosovës dhe në Zonën historike të Prishtinës.

Koordinatori i Festivalit, Zija Rexhepi, theksoi se ky festival edhe në edicionet e ardhshme do të vazhdojë që në qendër të tij të ketë studentët.

“Rëndësia e këtij festivali qëndron të fakti se ky është festivali i parë mbase edhe në rajon që i përket studentëve dhe pasqyron pikërisht punën e studentëve. Realizimi i tij ka qenë i vështirë mirëpo që në fillim kemi arritur që të tejkalojmë kufijtë lokalë dhe të kemi punime të studentëve edhe nga vendet e tjera si nga Slloveni, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, Maqedonia. Ndërsa shpresojmë që në edicion e ardhshëm do të kemi pjesëmarrje edhe më të madhe të studentëve pasi që komentet që kemi marrë për këtë edicion janë mjaft pozitiv”, tha ai për KultPlus.

Në kuadër të këtij festivali të premten është bërë edhe ndarja e çmimeve për kategorinë e filmit ku çmimi kryesor u ndanë për tre filma. “Për ty atdhe”, i studentit Fitim Rrustemi, “Një ditë dimri në Blinajë”, nga studenti Valon Demiçi si dhe “Cistocs”, nga Neven Smarozic.

Më mirënjohje u shpërblyen edhe pjesëmarrësit në konferencën e arkitekturës e cila u organizua në kuadër të festivalit. Ndërsa çmimin për kategorinë brendingu më i mirë, e fitoi Çlirimi Vokshi. Në kategorinë diploma më e mirë në dizajn të interierit fitoi Arbenita Mehmeti ndërsa diploma më e mirë në kategorinë e arkitekturës i takoi Selman Sejdiut.

Tematika e festivalit për këtë vit ka qenë “Tingulli i vendit” ndërsa vitin tjetër tema do të jetë “Dashuria dhe urrejtja”.

Dekanja e Degës së Komunikimit Masiv në Kolegjin AAB, Burbuqe Berisha, e cila ka qenë një nga seleksionueset e filmave që u shfaqën në kuadër të festivalit, e sheh këtë festival si një mundësi të mirë për të nxitur prodhimin e filmave nga ana e studentëve. Diçka e cila sipas saj do i testojë edhe njohurit që ata i mbledhin gjatë studimeve.

“Kemi kontaktuar me shkolla të ndryshme dhe kemi zgjedhur filma kryesisht nga rajoni. Diçka që e kemi njohur si kinematografi prandaj edhe qasja ndaj tyre dhe thirrja ka qenë më e lehtë. Mendoj që kemi pasur një përzgjedhje shumë të mirë dhe ajo që është edhe më e mirë është fakti se studentët kanë pasur prurje të mira. Në Kosovë kemi mundësi përmes festivaleve që të shfaqim filma madje në një kohë ka qenë një lloj “Festivalo manie” sa i përket shfaqjes mirëpo të ne është problem prodhimi. Prandaj kënaqësia më e madhe është kur ka çfarë të prodhohet dhe kur ka se çfarë të shfaqet. Duke u bazuar në këtë ky festival është një promovim shumë i mirë për punën e studentëve por edhe për krijim e kontakteve me kolegë përmes filmit”, u shpreh ajo për KultPlus.

Pas edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit, ky është festivali i dytë që po organizohet nga Universitetit AAB. Edicioni i parë i festivali “Prishtina Arts and Architecture Festival” – PAAF 2018 këtë vit është mbajtur nga 3-5 maj./ KutlPlus.com

Të ngjajshme