Përfundon restaurimi, rihapet shtëpia-muze e piktorit Vangjush Mio

8 Dhjetor, 2021 - 10:18 pm

Pas restaurimit, shtëpia-muze e piktorit Vangjush Mio në Korçë do të rihapet për publikun.

Lajmin e bëri të ditur sot ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila u shpreh se ky është një tjetër atraksion për turistët që vizitojnë Korçën.

“Pas përfundimit të restaurimit të çatisë, shtëpia-muze e piktorit Vangjush Mio, në Korçë do të hapë dyert për vizitorët, që çdo ditë e më shumë preferojnë të ndalen në qytetin e serenatave”, tha Margariti.

Për vlerat etnografike që mbart dhe për faktin se aty lindi një nga piktorët më të shquar shqiptarë, kjo shtëpi është shpallur shtëpi-muze.

Banesa-muze e Piktorit të Popullit, Vangjush Mio është një nga më të vizituarat në qytetin e Korçës.

Gjatë karrierës 40-vjeçare, Vangjush Mio realizoi mbi 400 vizatime dhe 130 piktura.

Rreth 60 punime të tij zënë vend në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Veprat e tjera, nën kujdesin e së bijës Rozeta, ekspozohen në shtëpinë-muze të tij./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme