Përkujtohen disa nga fotografët që i dhanë jetë këtij arti në Shqipëri

19 Gusht, 2020 - 3:03 pm

Në Ditën Ndërkombëtare të Fotografisë, ministrja e Kulturës Elva Margariti përkujtoi sot disa nga ata fotografë, që themeluan dhe i dhanë jetë këtij arti në Shqipëri.

Ministrja Margariti tha se “fundi i shek. XIX dhe fillimi i shek. XX numëron emra të mëdhenj fotografësh, madje u ngritën në këmbë edhe dinasti, të cilët na kanë dhënë mundësi të shohim sot të paprekur Shqipërinë e atyre viteve: peizazhe, portrete, mënyra jetese, veshje… Shqipëria që nuk është më, ka ngrirë në celuloid”.

“Pikërisht kjo ditë na nxiti, që çdo mëngjes ta nisnim me një shkrepje aparati, që ka bërë histori. Ndonëse i trajtuar si një art i dorës së dytë, para viteve ’90 të shek. XX, në ndryshim nga artet e tjera pamore, fotografia ka qenë pararojë. Ajo është zhvilluar thuajse paralelisht si në vendet e tjera të Europës, ku nisi të zhvillohej fotografia për së pari”, – nënvizoi Margariti.

Ministrja Margariti u shpreh se “sot, në Ditën Ndërkombëtare të Fotografisë nderojmë disa nga ata fotografë, që themeluan dhe i dhanë jetë këtij arti, në Shqipëri”.

Fotografia i ka fillimet te shpikja e Dagerrotipit (Daguerreotype), një proces fotografik i zhvilluar nga Joseph Nicephore Niepce dhe Louis Daguerre në vitin 1837, që më vonë u patentua nga qeveria franceze dhe shpikja u prezantua si “dhuratë për botën”, më 19 gusht të 1839, ndaj kjo ditë sot njihet si Dita Botërore e Fotografisë.

Me kalimin e viteve dhe me ndihmën e jashtëzakonshme të teknologjisë, fotografia ka evoluar shumë dhe sot pothuajse të gjithë janë të pajisur me një kamerë përmes të cilës mund t’i ‘ngrijnë’ momentet.

Në historinë e fotografisë shqiptare fototeka “Marubi” përfshin fotografi të vjetra 150 vjet, e të cilat ruhen në Shkodër. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme