Përkujtohet në 131-vjetorin e lindjes Vangjush Mio, ati i pikturës moderne shqiptare

5 Mars, 2022 - 5:30 pm

Si sot më 5 mars të vitit 1891, u lind në Korçë ati i pikturës moderne shqiptare, Vangjush Mio.

Sa ishte gjallë, Mio u vlerësua më së larti për mjeshtërinë e dëshmuar në pikturën realiste shqiptare. Ndërsa në ditët tona, i njihen edhe atributet e themeltarit të historisë së artit pamor profesionist përgjatë shekullit të XX-të. Kësodore, vepra e tij qe mënjanë klisheve të diktuara me përdhunë nga kornizat e realizmit socialist.

Mësimet e para i ndoqi në vendlindje. Talenti për pikturën gjeti shteg për t’u shpalosur që prej auditorit të Arteve të Bukura në Bukuresht të Rumanisë, ku kreu studimet e larta. Kthimi në Korçë në vitin 1919, do të shënjohej nga hapja e ekspozitës së parë vetjake, e para në historinë e arteve figurative në vend. Fitimet e akumuluara nga shitja e këtyre pikturave, i mundësuan një bursë studimesh në Institutin e Arteve të Bukura të Romës, ku u certifikua njëherazi si piktor dhe restaurues.

Mes gjinive të pikturës të lëvruara prej tij bëjnë pjesë portretet, kompozimet, nudot dhe peizazhet, që kanë prani të konsiderueshme në tërësinë e veprës së tij. “Dimri në Korcë”, “Aspekte nga Drenova”, “Dishnica”, “Boboshtica”, “Vithkuqi”, “Manat e Drenovës”, “Kositësit e barit” etj, janë disa nga titujt e peizazheve të tij më të lakuar.

Mio numëron 500 piktura, 200 vizatime dhe 80 bocete, të cilat ruhen në shtëpinë e tij, Muzeun “Vangjush Mio” në Korçë./ atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme