Përmes portreteve në kërkim të identitetit, Saranda Xhemajli shpalosi ekspozitën e parë personale (FOTO)

18 Shtator, 2018 - 12:00 pm

Gili Hoxhaj

Me ngjyra të errëta e vjeshtore ishin veshur shumica e portreteve që i kishin dhënë një pamje krejtësisht tjetër Galerisë “Monet”, ani pse autorja nuk ka përdorur fare ngjyrën e zezë, atë e ka bërë të pranishme përmes kombinimit të ngjyrave.

Ekspozita e parë e Saranda Xhemajlit erdhi me personifikimin e vetes e portretit të femrës që nuk i përket veç një moshe. Portretet e vajzave të vogla që të shikojnë drejtë në sy japin një shikim të bindshëm për të qëndruar më gjatë duke parë imazhet e tyre të pikturuar nga Xhemajli. Femra si figurë kryesore, diku paraqitet me flokët e zbuluara, e diku të mbështjella e që përkufizohen nën petalet e trëndafilave e kurorave, të cilat janë elementet kryesore me anë të të cilave Xhemajli zbërthen konceptet e saj.

Saranda Xhemajli në këtë ekspozitë ka punuar për gati një vit ndërsa portretet e saj nuk i përkasin botës fiktive. Portretet e atyre që e kanë rrethuar, ajo i ka vendosur në kornizat e pikturës. Pamja e tyre fillimisht e ngrirë përmes fotografisë e më pas i është besuar artistes që t’i vendos në kornizat e pikturës.

Kushdo që e sheh Albana Xhemajlin në ekspozitë, e identifikon lehtë praninë e saj në njërin nga portretet e varura në mur. Ajo është pjesë e dy punimeve të artistes, në portret dhe në nudo. Në një bisedë me KultPlus, ajo tregon se momentin që ka parë pikturën e përfunduar, është ndjerë tejet e emocionuar.

“Është kënaqësi ta shoh veten dhe të jem e pikturuar nga një piktore si Saranda Xhemajli. Edhe pse nuk e kam shikuar në proces, kam ndjerë emocione kur e kam parë pikturën të finalizuar. Jam shumë e lumtur që Saranda zgjodhi dy portrete të mija të jenë pjesë e ekspozitës së saj të parë”, tregon për KultPlus Albana.

Përveç në portret, Albana Xhemajli është pjesë edhe e një punimi tjetër që ndodhet në qendër të ekspozitës e që titullohet “Naked blond in red dres”, i cili është i vetmi përmes të cilit autorja është përpjekur ta paraqes nudizmin.

Kuratori i ekspozitës, Genc Rezniqi thotë që vepra të njohura nga piktorët më të famshëm trajtojnë nudizmin, piktorja Saranda Xhemajli mund ta trajtojë në shumë aspekte e si fenomen social mund të jetë ngulitur tek ajo si pasojë e zhvillimeve të shoqërisë, si shoqëri në tranzicion apo si muze për të krijuar diçka, të cilën ajo e krijon nga ndërdija.

Ai tutje thotë se ajo i tejkalon paragjykimet duke i thyer tabutë dhe përmes botës femërore ajo mundohet ta paraqes kuptimin utopik të jetës së pashpresë, frikën nga ardhmëria, konfuzionin e botës njerëzore pra metafizikën e lebetisë, ku shpresa dhe gëzimi marrin kuptimin e njëjtë, ku harmonia dhe çiltërsia, e bukura dhe e brishta identifikohen me njëra-tjetrën.

Përveç pikturave të tjera, autoportreti i saj është i përgjysmuar, duke zbuluar veç një pjesë të vështrimit. Kjo ekspozitë për autoren është edhe një zbulim i identitetit të saj artistik. Ajo tha se duke qenë artiste figurative në punimet e saj mbizotëron femra ndërsa në këtë ekspozitë është përpjekur që të paraqesë më shumë portrete.

“Përmes portretit jam përpjekur ta paraqes një gjendje të femrës që është e padjallëzuar dhe e çiltër. Besoj që femrat në Kosovë kanë shumë brenda dhe e kam ndjerë këtë dhe duke qenë se këto janë imazhe të jetës time, jam përpjekur që atë kujtim ta paraqes dhe me ndihmën e modeleve, shoqeve dhe mbesave. Fillimisht i kemi realizuar fotot mandej i kam krijuar punimet”, tregon artistja Xhemajli.

Krejt në fund, ajo tha se këtë ekspozitë e ka titulluar “Identity” apo “Identitet” pasi që kjo është ekspozita e saj e parë personale me anë të së cilës të tjerët mund të njoftohen me punën e saj. E po ashtu “Identitet” pasi që përmban imazhe nga përditshmëria e saj.

Të gjithë ata që duan ta shohin ekspozitën e Saranda Xhemajlit, punimet e saj do të qëndrojnë në muret e Galerisë “Monet” edhe për dy javë, deri më 30 shtator./ KultPlus.com

Të ngjajshme