Përmes skulpturave dhe inovacioneve në letër u paraqit arti bullgar në Kosovë

25 Prill, 2018 - 2:00 pm

Alberina Haxhijaj

Galeria Kombëtare e Kosovës, mbrëmë ka mirëpritur ekspozitën e artistëve nga Bullgaria, Todor Todorov “Skulptura elementale” dhe Daniela Todorova “Inovacione në letër”. Ekspozitë kjo e cila shërben si urë lidhës për prezantimin e artit kosovar në Bullgari, në të ardhmen, shkruan KultPlus.

Koleksioni i prezantuar mbrëmë përbëhet nga dy drejtime në të cilat autorët Daniela Todorova dhe Todor Todorov punojnë me vite të tëra. Ekspozita e paraqitur synon të tregojë dy fusha në të cilat Bullgaria ka kontribuar për zhvillimin e kulturës evropiane.

Në këtë ekspozitë, në njërën pjesë janë treguar vetëm një përzgjedhje e inovacioneve të veçanta, të skulpturave që lidhen me elementet natyrale si era, dielli, toka e uji. Artisti Todor Todorov në Prishtinë kishte sjellë një numër të vogël të skulpturave pasi që pjesa tjetër e punës së tij u paraqit përmes posterave. Ai ka prezantuar një ekspozitë me posterë të përmasave të mëdha, në të cilët pasqyrohen skulptura të realizuara dhe makete të atyre që janë në proces të realizimit. Ndërsa pjesa tjetër, ka të bëjë më artin në letër, një drejtim i ri në Bullgari të cilin e solli në Prishtinë artistja Daniela Todorova.

Ekspozita e Fondacionit AMATERAS i është përkushtuar Presidencës së Bullgarisë së Këshillit të Evropës gjatë 2018. Mirëpo edhe pse programi i zhvilluar nga Fondacioni AMATERAS ka përfshirë disa vende, në ekspozitën e paraqitur në Prishtinë, u prezantua vetëm arti i zhvilluar në Bullgari.

Artistja Daniela Todorova, tha se kjo është bërë me shpresë së puna e tyre do të zbulohet më tutje përmes bashkëpunimeve që pritet të ketë në mes të Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe këtij fondacioni.

“Për mua është nderë të jem këtu e rrethuar me miq dhe me dashuri. Ajo që kemi bërë sonte dhe që do bëjmë në të ardhmen është pjesë e një pune të gjatë dhe bashkëpunimi më të madh në mes të Bullgarisë dhe Kosovës. Ndërsa ajo që kemi treguar sonte këtu është vetëm një pjesë e vogël e artit bashkëkohorë në Bullgari”, u shpreh ajo.

Ky bashkëpunim do mundësojë edhe dërgimin e një ekspozite nga Kosova në Bullgari, më shumë detaje për këtë ka dhënë drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani.

“Ky bashkëpunim na vjen i aprovuar nga bordi i kaluar. Dhe unë e kam përkrahur këtë pasi që mendoj se ne duhet të përkrahim çdo iniciativë që vjen nga ana diplomatike, në këtë mënyrë edhe diplomatët e tjerë do e kuptojnë se sa e rëndësishme është diplomacia kulturore. Arti që u paraqit sot erdhi nga një qift artistësh të cilët kanë dy disiplina shumë specifike të krijimtarisë. Ndërsa planifikohet që vitin e ardhshëm, ne të realizojmë një ekspozitë e cila e prezanton së më mirë artin e Kosovës dhe atë ekspozitë ta dërgojmë në Sofje”, tha ajo duke shtuar se bordi drejtues i galerisë do fillojë që të shikojë dhe analizojë se cila do jetë zgjedhja më e mirë.

Kjo ekspozitë do të qëndroj e hapur deri më 12 maj në Galerinë Kombëtare të Kosovës./ KultPlus.com

Të ngjajshme