Piktori Demush Avdimetaj me ekspozitë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës

16 Prill, 2018 - 9:25 am

Më 19 prill, në ora 19:00, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës bëhet hapja e ekspozitës “Simbiozë e Artit Klasik dhe Modern” të piktorit Demush Avdimetaj, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë përmban tridhjetë (30) punime, vepra pamore – vizatime dhe piktura të realizuara në teknikat akrilik në pëlhurë, akrilik në letër, teknikë e kombinuar, etj. të cilat paraqesin elemente reale dhe të imagjinuar poetike, me kontura vizatimore grafike, piktoreske e skulpturore.

Piktori Avdimetaj është një ilustrator i shquar dhe një piktor me identitet të formësuar prej artisti. Demush Avdimetaj dëshmon prirjen e tij për dy lëmi të artit pamor, vizatimin – që është bazë dhe pikturën. Peizazhet lirike merren nga natyra, por transponohen varësisht nga emocionet, disponimet dhe përjetimet estetike, duke krijuar imazhe vizuale mbresëlënëse, asociative dhe refleksive.

Demush Avdimetaj u lind më 1949 në Strellc të Deçanit. Studimet e larta i ka mbaruar në Kosovë, në Fakultetin e Arteve, drejtimi i Pikturës. Deri më tani, z. Demush Avdimetaj ka realizuar mbi 20 ekspozita personale, ndërkaq kjo është ekspozita e tretë me radhë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës.

Karriera e tij artistike është përcjellë edhe me çmime e mirënjohje të ndryshme si ajo nga Akademia Evropiane e Arteve në Belgjikë në vitin 2006, nga Salloni i 36-të Ndërkombëtarë, po në Belgjikë, nga Salloni Mbarëkombëtarë i Gostivarit në vitin 2010, etj.

Ky projekt drejtohet nga znj. Dhurata Ramosaj-Shala – koordinatore e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, ndërkaq kurator i ekspozitës është z. Nebih Muriqi./ KultPlus.com

Të ngjajshme