Piktori Sali Musliu vjen me ekspozitë personale

25 Korrik, 2018 - 7:16 pm

Dizajnuesi i logos së Federatës së Futbollit të Kosovës, piktori Sali Musliu vjen me ekspozitën e tij personale, shkruan kultPlus.

Ekspozita titullohet “I’m sorry for you Srebrenica” dhe do të hapet më datë 27 korrik në orën 19:00 në Galerinë e qytetit të Gjilanit.

Kujtojmë që logoja e Federatës së Futbollit të Kosovës e cila u përzgjedhë nga FFK, nuk është pritur aspak mirë nga publiku, ajo ka ngjallur reagime të mëdha në internet, ku komentuesit nuk e cilësuan si logon më të mirë.
Por dizajnuesi i saj Sali Musliu pati thënë që interpretimet për logon e tij nuk qëndrojnë.

Ai ka mbrojtur dizajnin e tij duke e shpjeguar edhe idenë, ku ndër të tjera ka thënë që me këtë logo ai ka dashur ti ikë patriotizmit

Piktori, Sali Musliu, i lindur në Gjilan, në vitin 1966. Ai ka diplomuar në vitin 2001 në Akademinë e Artit në Dusseldorf, tek artisti me reputacion botëror, prof. Konrad Klapheck. Musliu është aktiv në skenën e artit dhe profesionalisht merret me pikturë në Frankfurt, ku vepron dhe jeton aktualisht – thuhet në një njoftim të FFK-së.

Gjatë vitit 2010 ka qenë profesor i artit në Kolegjin AAB në Prishtinë, derisa më herët ka menaxhuar me galerinë-ateleun e hapur në Prishtinë.

Piktori ka fituar shumë çmime si vendore, ashtu edhe ndërkombëtare, derisa në vitin 1999 nga Akademia e Arteve në Dusseldorf e pranoi titullin ‘Mjeshtër i Artit’.

Veprat e piktorit Sali Musliu gjenden të ekspozuara në institucione të ndryshme, muze të artit dhe shumë koleksione private në të gjithë botën./ KultPlus.com

Të ngjajshme