Piktori shqiptar Sali Allmuça, një histori suksesi në Gjermani

28 Prill, 2022 - 3:19 pm

Qindra piktura, në të cilat dominojnë ngjyrat e fuqishme: e kuqja dhe bluja: Kjo të bie në sy në studion në Vupertal të piktorit Sali Allmuça. Përveç peizazheve nga atdheu dhe tablove tematike, Allmuça ka për zemër veçanërisht portretin, sepse siç thotë ai: “duke dashur t’u flasësh njerëzve, ti ke zgjedhur idenë për t’u folur atyre, po me shëmbëlltyra njerëzish. ”Ndërsa përmes kontrastit të ngjyrave ai sjell në Gjermani flladin mesdhetar. Piktori Allmuça vjen nga një familje tradicionale e Shqipërisë së Mesme.

Ai studioi në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe punoi si piktor filmi në Kinostudion “Shqipëria  e re“. Filmat e njohur si: “Një gjeneral kapet rob“, “Besa e kuqe“, “Dora e ngrohtë“, “Kur hapen dyer e jetës“, “Tre ditë nga një jetë“, “Rrethi i kujtesës“ etj kanë firmën e piktori Sali Allmuça. Paralelisht ai punoi edhe si lektor në Akademi për “Grafikë të Aplikuar”, deri sa në vitin 1990 do të largohej në drejtim të Gjermanisë, pikërisht në kohën, kur edhe shumë të tjerë kërkonin një jetë më të mirë jashtë Shqipërisë. Allmuça ndonëse ka përfituar mjaft nga jeta në Perëndim edhe sot e kësaj dite i mbetet mirënjohës shkollës dhe formimit të tij në Shqipëri.

Është e rëndësishme të jetosh i lirë, por edhe liria ka kufizimet e saj, thotë piktori Allmuça: “Arti ka forma shumë të holla për t`i kapërcyer të gjitha pengesat, që mund t’i bëjë një sistem diktatorial, si ai që kemi përjetuar.” Disiplina e punës ka qenë një nga tiparet thelbësore në formimin e tij, gjë që e ka ndihmuar atë edhe në specializimet e mëtejshme duke u radhitur në mesin e piktorëve bashkëkohorë perëndimorë. Ndoshta kjo ka bërë që ai në këto 30 vjet të jetë me një këmbë në atdhe dhe me një në Vupertal të Gjermanisë.

Si artist në profesion të lirë ai ka hapur mjaft ekspozita në Gjermani, veçanërisht në Vupertal. Distanca me atdheun nuk e ka penguar atë që të jetë i pranishëm dhe të ndjekë nga afër zhvillimet në Shqipëri. Por ajo çka vlerëson si artist në Gjermani dhe do ta dëshironte edhe për Shqipërinë, është përkujdesi për kulturën dhe trashëgiminë kulturore.

Atij i ka bërë veçanërisht përshtypje projekti në Dresden për rikthimin në origjinë të kishës së Zonjës së Madhe të shkatërruar nga bombardimet në fund të Luftës së Dytë Botërore. Për mua edhe Tirana është e dëmtuar deri në atë masë, sa nuk bëhet fjalë më për kthim të identitetit, dëmi është i pallogaritshëm, shprehet me keqardhje piktori. Për këtë arsye ai me iniciativën e tij, formoi Fondacionin për ruajtjen e kulturës kombëtare shqiptare. Ai punoi nga viti 2003 deri në vitin 2005 për ristrukturimin e Urës së Tabakëve, monument kulture i ndërtuar qysh në shekujt 17—18 në Tiranë.

Por, siç shprehet piktori tiranas, “arti ka qenë dhe ka mbetur një tribunë për të ngritur zërin në formën dhe në mënyrë që të lejon piktura për të shprehur atë, që ti e ndjen, atë se çfarë ndodh në shoqërinë shqiptare në përgjithësi dhe çfarë ndodh me globalizmin në botë në veçanti”. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com 

Të ngjajshme