Piktura e humbur e Rossettit ekspozohet në Muzeun Britanik

3 Shtator, 2019 - 3:30 pm

Një anë e errët dhe tronditëse e gjigantit para-Raphaelit që rëndom njihet për imazhet ndjenjësore të bukurisë dhe dëshirës do të shihet këtë javë kur një pikturë dikur e humbur do të shfaqet në Muzeun Britanik.

“Vdekja e Breuze Sans Pitié” e Dante Gabriel Rossettit zor që është parë në publik prejse ishte pikturuar në fund të viteve 1850, dhe prej dekadave njihet vetëm nga përshkrimet e saj.

Është një yll i koleksionit të madh privat të historianit të ndjerë të artit, John Christian, i cili së fundmi iu alokua Muzeut Britanik pasi iu ofrua shtetit si pjesë e pranimit në skemën e heqjes së taksave, që u lejon njerëzve të ofrojnë vepra arti dhe koleksioni për të hequr taksën e trashëgimisë, shkruan sot Koha Ditore.

Piktura e mahnitshme me ngjyra uji shfaq dy kalorës nga legjenda arturiane, Dinadan dhe Breuze, në një përleshje thikash. Prapa tyre është një burrë i vdekur i varur në një lis dhe një grua e mbajtur kundër dëshirës së saj me litar rreth qafës.

“Është krejt ndryshe prej asaj që prisnin nga Rossetti”, ka thënë Susannah Walker, kuratore e ekspozitës në Muzeun Britanik. “Ne presim dashnorë dhe gra të hirshme, një estetikë krejt e ëndërrt. Kjo është një pikturë krejtësisht e pazakontë”.

Vepra ishte një nga shtatë pikturat me ngjyra uji, me frymëzim mesjetar, që u blenë nga miku i Rossettit William Morris në fund të viteve 1850.

Morris më vonë i shiti ato dhe pesë sosh përfunduan në koleksionin e Tates. Këto piktura uji – vizione romantike të një bote kalorësiake si “The Blue Closet” dhe “The Tune of the Seven Towers” – janë shumë më shumë sesa që mund të presësh nga Rosseti.

Me gjasë pse ishte aq e ndryshme dhe drithëruese, “The Death of St Beuze” pati një rrugë krejt të ndarë. Është shënuar si pjesë e një ankandi në New York në vitin 1926 dhe nga ajo kohë ishte humbur thelbësisht për botën e artit – nuk ka pasur fotografi të saj – derisa u shfaq në një ankand të Londrës më 1993.

Është një pikturë fascinuese për shkak se është aq e tjetërllojtë. Një përshkrim i rrallë i saj është në librin e vitit 1899 të Hc Marillierit, i cili e quante atë si “një prej më të vrazhdave dhe më pak të suksesshmëve prej të gjitha pikturave të Rossettit”.

Skena e zymtë, vazhdonte ai, kishte një “efekt neveritës e të pakëndshëm” dhe kompozicioni ishte “grotesk dhe i tendosur”.

Është përmendur edhe nga vëllai i Rossettit në një jetëshkrim të artistit të publikuar më 1889. Ai shkruan se Rossetti e gjeti Vdekjen e Breuzes “si vepër të vështirë dhe mendonte se ajo duhej të ishte menaxhuar me më pak punë”.

Walker ka thënë se nuk ishte e lehtë të gjendej se çfarë po ndodhte. “Është një imazh prej të cilit duhesh të qëndrosh prapa me qëllim të deshifrimit të veprimit. Nuk është i menjëhershëm dhe nuk është se çfarë pret nga Rossetti, por është një send që vërtet rritet brenda teje”.

Vepra është një prej 900 sendeve në koleksionin e Christianit, një autoritet prijës në artin viktorian që kryesoi para-Raphaelitet në vitet ’60 dhe ’70 kur ato ishin jashtë mode dhe çmimi i tyre i ulët.

Ai njihet veçmas për kurimin e një ekspozite të rëndësishme të Edward Burne-Jonesit në Galerinë e Haywardit më 1976 dhe një tjetre të quajtur “The Last Romantics” në Barbican më 1989.

Rossetti do të jetë pjesë e një ekspozite të vogël në muze, që hapet të martën, duke treguar pjesë të koleksionit, përfshirë edhe vizatime nga Charles Haslewood Shannon, Benjamin Robert Haydon, Dorothy Hawksley dhe Kalman Kemeny.

Walker ka thënë: “Është një aset madhor që ofron një vështrim të thellë në artin viktorian dhe është një thesar i vërtetë për secilin që dëshiron të mësojë më thellë mbi shtypshkrimin, vizatimin dhe stërhollimin e zejes së vizatimit”/ The Guardian./ KultPlus.com

Të ngjajshme