17 Korrik, 2025 - 3:55 pm
Të fshehura thellë në pyjet e Balmoralit, pronës mbretërore skoceze të dashur për Mbretëreshën Viktoria, ndodhen 11 gurë memorialë që përfshijnë një piramidë gjigante prej graniti.
Të ndërtuara për të përkujtuar momente të rëndësishme mbretërore dhe humbje personale, ato tregojnë një histori të heshtur dashurie, pikëllimi dhe ndërtimi kombëtar.
Kur Mbretëresha Viktoria vizitoi për herë të parë Kalanë Balmoral në Aberdeenshire-in, më 8 shtator 1848, gjashtë vjet pas vizitës së saj të parë në Skoci, ajo mori kohë për të shijuar pyjet, kopshtet dhe malet e valëzuara përreth.
“Gjithçka dukej se rrezatonte liri dhe paqe, dhe të bënte të harroje botën dhe shqetësimet e saj të trishta,” shkroi ajo në ditarin e saj. Së shpejti, ajo pronë u bë një vend i përhershëm për pjesën tjetër të jetës së saj dhe mbetet një strehë për Familjen Mbretërore Britanike edhe sot.
Ka shumë histori të fshehura në Kalanë Balmoral, por ndoshta asnjë nuk është aq intriguese sa ajo e “piramidave” sekrete të pronës, gurët memorial që ngjasojnë me murana. Ka 11 të tillë, të shpërndarë thuajse me pak kujdes në pronën prej gati 50,000 hektarësh. Më i madhi është një monument prej guri që përngjan më shumë me ndërtimet dinastike të Egjiptit të Lashtë sesa me ndonjë strukturë skoceze, ndërsa të tjerët janë të shpërndarë si të ishin pjesë të një misteri më të madh, përcjellë KultPlus.
Pse u krijuan këto struktura memoriale?
Sipas Ewen Cameron, profesor i historisë skoceze në Universitetin e Edinburgut, shumica u ndërtuan me porosi të Mbretëreshës Viktoria për të përkujtuar ngjarje të rëndësishme në jetën e familjes së saj, përfshirë martesat e nëntë fëmijëve të saj. Gurët përkujtojnë Princin Albert Edward, Princeshën Alice, Princin Arthur dhe Princeshën Beatrice ndër të tjerë, duke formuar një lloj harte familjare përmes kodrave të pyllëzuara.
“Murana e Princeshës Louise ka ndoshta historinë më interesante,” tha Cameron, studiues i historisë, për mediat ndërkombëtare. “Ajo ishte fëmija i gjashtë dhe vajza e katërt, dhe u martua me John Campbell, Dukën e 9-të të Argyllit. Kjo ndihmoi në forcimin e lidhjeve të familjes me Highlands, që ishte kaq i rëndësishëm për Mbretëreshën Viktoria. Ka një ironi të caktuar që një pasardhëse e Shtëpisë së Hanoverit u magjeps nga ky imazh romantik i Skocisë.”
Një tjetër monument u ndërtua pas vdekjes së Princit Albert në dhjetor 1861. Kjo solli ndërtimin e memorialit më të madh të pronës, në formën e një piramide prej graniti, shpjegoi Gordon Casely. E fshehur në majën e kodrës Craig an Lurachain, me një panoramë mahnitëse të Parkut Kombëtar të Cairngorms, ajo kërkon më shumë përpjekje për t’u arritur dhe shpesh quhet “Piramida e Madhe e Skocisë”.
“Gurët memorial janë një shtesë e mrekullueshme, edhe pse e papritur, për pronën,” tha Casely. “Janë tepër intriguese, pasi secila ka historinë dhe dizajnin e vet, dhe nuk më çudit që gjithnjë e më shumë vizitorë po i kërkojnë. Legjendat e tyre vlejnë të tregohen.”
Mirëpo në gjithë këto mistere pamja e Piramdës së Princit Albert, gati 11 metra e gjatë, perkufizon bukurinë natyrore. Piramida, e ftohtë dhe e gurtë, përfaqëson një version të papritur të Highlands-it, ndryshe nga ai që shumica ëndërrojnë.
Edhe në një vend të mbushur me gurë të lashtë, vendbanime neolitike dhe histori të mistershme, ky ndërtim viktorian mbetet një mrekulli./KultPlus.com