Posta e Kosovës nderon artistin Ismet Jonuzi

21 Korrik, 2025 - 2:39 pm

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka lëshuar sot në qarkullim emisionin e pullave postare me titull “Veprat – Ismet Jonuzi”.

Ismet Jonuzi, i lindur më 9 shkurt 1961 në Rahovicë të Preshevës, është pedagog dhe artist i njohur, veprat e të cilit janë ekspozuar në shumë vende të botës, përfshirë Parisin, Venecian, Zvicrën, Australinë dhe Amerikën Latine.

Motivet e katër pullave postare përmbajnë imazhe të skulpturave që, në thelb, na kujtojnë se arti nuk është vetëm estetikë, por edhe histori, politikë dhe lutje.

Për artistin Jonuzi, arti është një mjet për të ndriçuar errësirën dhe për të ndërtuar një botë më të mirë – jo duke mohuar të kaluarën, por duke e kthyer atë në dritë.

Në katër vepra të përzgjedhura, arti shndërrohet në një akt të fuqishëm transformimi: nga shkatërrimi në krijim, nga dhuna në kujtesë, nga plumbi në jetë.

“Shqiponja e Lirisë”, ndërtuar nga mbetje lufte, është një simbol krenarie që rrëfen kalvarin historik të popullit shqiptar, por edhe fuqinë për të kthyer dhimbjen në dinjitet.

“Shtëpia e Arit” përfaqëson një metaforë të alkimizmit shpirtëror – gjithçka e pavlerë bëhet simbol, strehë për mendimet e harruara dhe shpirtin që kërkon dritë. Ajo nuk është vetëm një objekt, por një filozofi mbi ringjalljen përmes artit.

“Portreti i Gjyshit”, i punuar në hekur, mishëron kujtesën kolektive të një populli – një thirrje për të mos harruar, për të ndërtuar të ardhmen mbi plagët e së kaluarës. Ky portret shpalos një dialog të heshtur mes brezave, mes luftës për mbijetesë dhe përpjekjes për paqe.

Në skulpturën “Karriget prej armësh”, ndodh një akt simbolik i fuqishëm: armët nuk vrasin më, por shërbejnë si mbështetje për trupin e njeriut që ulet për të reflektuar. Aty ku dikur fliste dhuna, tani ftohet dialogu. Është një kritikë ndaj militarizmit dhe një thirrje për paqe – jo përmes harresës, por përmes shndërrimit të së kaluarës në mësim.

Pullat postare dhe Zarfi i Ditës së Parë nga ky emision do të jenë në qarkullim postar deri në konsumim të plotë./ KultPlus.com

Të ngjajshme