Profesori që historinë e shndërron në art

18 Gusht, 2020 - 11:14 am

Suada Qorraj

I lindur në qytetin e kullave mes historisë, të bëmave dhe heronjve që përshkruan vendin me vite. Dashurinë e madhe për artin, atdheun por edhe brengën që i erdhi pikërisht atëherë kur liria trokiti në fshatin e vogël ku ishte rritur, arriti ta shprehte përmes vizatimeve, që në atë kohë i ishin shndërruar në të vetmet fjalë, shkruan KultPlus.

Kushtrim Dacaj, profesor i Gjeografisë në Gjimnazin ʺVëllezërit Frashëriʺ në Deçan, ka rrëfyer për KultPlus për ditët e para të “takimit” të tij me lapsin e letrën, e deri në përvetësimin e këtij arti, që sot duhen shumë pak fjalë për ta dëshmuar.

Portretet që deri më sot ka realizuar, shfaqin vlerat kombëtare, heronjtë që pati fatin t’i takoj, por edhe ata të cilët historia ja mësoj.

Dacaj ka thënë se arti për të nuk është veç pasion, ai është një obligim për tokën, popullin por edhe atyre që jetën e dhanë për liri.

“Përveç punës që bëj dhe mësimit që zhvilloj me nxënësit, kohën e lirë e kaloj me punimin e portreteve. Këtë, përveç se e shoh si një pasion timin, gjithashtu e marr edhe si obligim ndaj kësaj toke, këtij populli dhe atyre që dhanë jetën për liri, pra dëshmorëve dhe të rënëve tanë”, ka pohuar ai.

Nuk mban mend se sa portrete ka realizuar deri më sot por sipas tij kjo është mënyra e tij për të përkujtuar figurat e ndritura të kombit, të qyteti ku ai është rritur, vendit që tokës i fali martirë e dëshmorë.

“Kam lindur në Deçan, një vend që ka dhënë shumë dëshmorë dhe martirë për këtë tokë, jam rritur duke dëgjuar për kontributin dhe vuajtjet e vajzave dhe djemve më të mirë të kombit, për çlirimin e trojeve tona. Prandaj, përmes portreteve që i punoj mundohem që tʼi përkujtoj figurat e ndritura të kombit, t’i transmetoj ato te gjeneratat e reja dhe së bashku t’i ruajmë dhe ti nderojmë veprat e tyre”, ka vazhduar Dacaj.

Tutje ai treguar edhe për procesin e krijimit të një portreti, duke theksuar se krahas punës, janë të domosdoshme edhe përkushtimi e vullneti.

“Punimin i një portreti kërkon një përkushtim dhe vullnet të madh. Zakonisht e përzgjedhi një fotografi dhe filloj të marr përmasat e saj të cilat i paraqes në fletë të bardhë (varësisht nga madhësia e fletës). Portretin filloj ta punoj në vija të lehta për të parë saktësinë e tij. Pasi të sigurohem se portreti është brenda parametrave dhe vijave, atëherë kaloj në pjesën e dytë, atë të vendosjes së vijave përfundimtare dhe nxjerrjen e nuancës së fytyrës bashkë me elementet e saj. Portreti me tu mbaruar do të lyhet me një spërkatës përkatës që lapsi të shkëlqej më mirë dhe të jetë më i qëndrueshëm”, ka rrëfyer profesori.

Dacaj ka shtuar se pikturat që ai ka realizuar deri më tani nuk janë për shitje disa prej tyre tashmë i janë dhuruar familjeve të dëshmorëve, shokëve apo edhe artistëve të ndryshëm. Ai ka thënë se nuk ka qëllim promovimin e vetes ngase qëllimi i tij i vetëm është përkujtimi dhe nderimi i figurave të mëdha të kombit. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme