Puthja e parë në historinë e artit, kryevepra e Giottos në Kishën ‘Skrovenji’

24 Korrik, 2025 - 7:20 pm

Në vitin 1305, Giotto di Bondone realizoi një afresk që përshkruan puthjen e parë në historinë e artit, një skenë intime dhe plot ndjenjë midis Joakimit dhe Anës, prindërve të Virgjëreshës Mari, që përqafohen te Porta e Artë në Jerusalem.

Kjo vepër është pjesë e ciklit monumental të afreskëve që zbukurojnë muret e Kishës “Skrovenji” në Padovë (Cappella degli Scrovegni), dhe që konsiderohet si kryevepra më e madhe e Giottos.

Afreskët e Giottos në këtë kishë, të cilët paraqesin skena nga jeta e Virgjëreshës Mari dhe e Krishtit, janë ndër më të ruajturit dhe më të admiruarit në historinë e artit.

“Takimi te Porta e Artë” paraqet momentin e bekuar kur Joakimi dhe Ana marrin lajmin nga engjëlli se, pas shumë vitesh të shterpësisë, do të kenë një fëmijë. Skena është ndërtuar me një harmoni të brendshme emocionale dhe formale. Personazhet janë të mëdha, të thjeshta, të përqendruara në plan të parë, ndërsa porta madhështore krijon një kornizë arkitekturore për këtë moment të ngrohtë, transmeton KultPlus.

Figura të tjera femërore vështrojnë çiftin me përzemërsi, duke orientuar shikimin e vëzhguesit. Në kontrast me ta, një grua me veshje të errëta shikon në një drejtim tjetër, ndoshta duke parashikuar sfidat dhe dhimbjet që do të vijnë më vonë.

Giotto, i lindur rreth vitit 1267 në Toskanë, konsiderohet “babai” i artit të Rilindjes, pasi u largua nga stili i ftohtë bizantin dhe solli natyralizëm, ndjeshmëri dhe thellësi hapësinore në pikturë. Ai pikturoi njerëz të vërtetë me emocione dhe individualitet. Në vitin 1334, u emërua drejtues i punimeve në katedralen e Firences, një post që më parë u rezervohej vetëm skulptorëve dhe arkitektëve. Vdiq më 1337, si një nga artistët më të njohur dhe më të pasur të kohës.

Në vitin 1880, qyteti i Padovës e mori Kishën “Skrovenji” në pronësi dhe afreskët janë restauruar disa herë gjatë shekujve XIX e XX. Që nga vitet 1970, është ndërmarrë një proces i kujdesshëm monitorimi për të ruajtur cilësinë e ajrit dhe gjendjen e afreskëve. Sot, vizitorët kalojnë fillimisht në një dhomë pritjeje me ajër të kondicionuar për t’u dekontaminuar përpara hyrjes në kishë, ku mund të qëndrojnë për vetëm 15 minuta për të admiruar afreskët.

Në vitin 2021, Kisha “Skrovenji” u përfshi në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, duke vulosur vlerën e jashtëzakonshme artistike dhe historike të kësaj kryevepre. Arti i Giottos, që për kohën e tij ishte revolucionar, edhe sot vazhdon të mahnitë me gjallërinë, ndjeshmërinë dhe përshkrimin njerëzor që u dha figurave të shenjta./KultPlus.com

Të ngjajshme