Qëndresa Krasniqi hap ekspozitën e saj të parë në KultPlus Caffe Gallery: Po ndjehem e kompletuar

7 Tetor, 2021 - 10:30 am

Mbrëmë, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, artistja Qëndresa Krasniqi hapi ekspozitën e saj të parë, që përfshinte gjithsej 11 piktura. ”Naked-eye” erdhi para publikut artdashës për të shpalosur pasionin dhe botën artistike të Krasniqit, shkruan KultPlus.

Ishte gazetarja Rina Statovci ajo e cila moderoi hapjen e mbrëmshme të ekspozitës, e cila theksoi para të pranishmëve se është një ndjenjë shumë e mirë për të që të shihte kaq shumë njerëz që mbështesin një artiste të re.

”Një ndjenjë shumë e mirë me pa kaq shumë njerëz që mbështesin një artiste të re, e cila veçse ka filluar t’i marrë hapat e parë në krijimin e artit”, pohoi tutje Statovci.

”Naked-eye” paraqet konceptimin e gjërave që na rrethojnë, me galaktikën si inspirimin kryesor të artistes, pikturat shpalosin atë të panjohurën të cilën secili individ tenton ta gjejë apo e kërkon gjatë rrugëtimit të vet jetësor. Përgatitjet për këtë ekspozitë kanë zgjatur katër muaj dhe siç tregon artistja për KultPlus, përpos idesë dhe konceptit ajo ka bërë edhe hulumtime të shumta deri në realizimin final të pikturave të cilat vijnë në dimensione të ndryshme dhe janë të punuar në teknikën akrilik në pëlhurë. Këto 11-të piktura, duke ardhur përmes një syri të lirë, shpalosin planetet, në përgjithësi sistemin diellor, të njohurën e të panjohurën.

”Duke u nisur nga vetja, është njerëzorja ajo e cila e kërkon gjithmonë të panjohurën. Kështu individi shtyhet gjithmonë drejt asaj duke kërkuar vazhdimisht njohjen, për këtë arsye e kam zgjedhur galaktikën si koncept të ekspozitës. Ka të bëjë me motivin e ekzistencës e vetë jetës që na shtyen tutje”, shprehet artistja Krasniqi për KultPlus.

E pyetur se cilat janë planet e saj në të ardhmen përsa i përket artit pamor, artistja ka theksuar se rrugëtimi i saj nuk do të mbetet me kaq dhe se ”Naked-eye” do të udhëtoj edhe nëpër vende tjera, por akoma nuk ka vendosur diçka më konkrete.

Kjo ekspozitë, njëherit edhe e para e Krasniqit, do të mbesë përgjithmonë në kujtimet e saj si një eksperiencë e paharruar.”Ka me mbetë e paharruar, një ndjenjë e papërshkruar. Po ndjehem shumë e kompletuar”, shprehet tutje Krasniqi.

Në mesin e shumë artistëve që ishin të pranishëm, për të parë ekspozitën e ish-studentes së tij, i pranishëm ishte edhe artisti Kamuran Goranci i cili me lavdata shumë të mëdha për artin e Krasniqit theksoi se gjithmonë e kishte parë talentin e kësaj të fundit.

”Qëndresën e kam pasur studente, është një vajzë shumë aktive. Që në kohën e studimeve e kam parë që ajo ka një talent të madh dhe më vjen mirë që sonte ajo ka hapur ekspozitën e saj të parë. I uroj shumë suksese në të ardhmen”, potencoi Goranci për KultPlus.

”Naked-eye” është një ekspozitë shitëse, e cila do të qëndrojë e hapur për 14 ditë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery.

Qëndresa Krasniqi ka përfunduar studimet Bachelor në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” Fakulteti i Arteve, Dega e Arteve Dramatike, programi: Dizajn skene dhe Kostumografi.

Pasioni i saj për artin ka filluar qysh në moshë të re. Ky pasion vazhdoi për shumë vite duke u angazhuar në projekte të ndryshme: shfaqje, filma, seriale, reklama etj, kryesisht si skenografe dhe kostumografe.

Fotografitë: Gent Haziri / KultPlus.com

Të ngjajshme