Rama: Dashuria për familjen fiton çdo konkurs

2 Dhjetor, 2022 - 9:50 am

Mario Zefi, nxënësi i klasës së 9-të në shkollën “Mark Çuni”, Shkodër është fituesi i vendit të dytë të konkursit të pikturës “Shqipëria Ime”, organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

Mario Zefi mori pjesë në konkurs me pikturën e realizuar me portretin e gjyshes së tij, Terezës, nga Bushati i Shkodrës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga takimi që ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi priti dje në një takim fituesin e vendit të dytë të konkursit të pikturës “Shqipëria Ime”, Mario Zefi, nxënësin e klasës së 9-të në shkollën “Mark Çuni”, Shkodër, së bashku me gjyshen e tij.

“Mirëmëngjes dhe me Marion që na kujton se çdo gjyshe është një nënë Terezë, dhe se dashuria për familjen është talenti që pikturon dhe fiton çdo konkurs, si ky i realizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, ju uroj një ditë të bukur”, shkroi Rama.

Ministrja Kushi tha se, “kjo ka qenë një nga pikturat që ka tërhequr më shumë vëmendjen e të gjithë publikut, mori shumë pëlqime, por mbi të gjitha preku zemrat e publikut. Kjo pikturë thur shumë bukur edhe talentin e nxënësit, traditat shqiptare dhe dashurinë për gjyshen dhe kjo e treta është aq e bukur, por edhe prekëse”.

Kushi tha se “Nënë Tereza ka fituar zemrat tona me portretin fisnik, të punuar me mjeshtëri nga nipi i saj Mario 14-vjeçar, të cilin e ka frymëzuar të shprehë në një pikturë mahnitëse talentin e tij të rrallë, traditat shekullore të vendlindjes, e mbi të gjitha dashurinë për gjyshen”.

“Ajo është një nënë e madhe dhe e fortë, me 13 fëmijë dhe 28 nipër e mbesa e që së bashku me prindërit e Marios i ofrojnë atij të gjithë mbështetjen e duhur për të ushtruar dhe zhvilluar talentin”, tha Kushi.

Kushi theksoi se, “jam krenare për Marion dhe shumë të tjerë si ai në të gjithë Shqipërinë, që na e mbushin zemrën plot optimizëm dhe na motivojnë çdo ditë e më shumë, mua dhe të gjithë mësuesit anembanë vendit në misionin tonë të përbashkët”.

Rreth 2500 nxënës të shkollave të ndryshme të vendit morën pjesë në konkursin e pikturës “Shqipëria Ime”. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme