Rama në studion e skulptores Llambrini Dëna: Folklori e historia, në objekte të denja artizanale në Beratin e UNESCO-s

1 Maj, 2025 - 4:00 pm

Në qytetin e Beratit studioja e skulptores Llambrini Dëna është e tejmbushur me krijime me motive shqiptare, të derdhura në qeramikë e terakotë.

Kryeministri Edi Rama vizitoi nga afër studion e skulptores beratase.

“Një vizitë e bukur në studion artizanale të skulptores Llambrini Dëna, e cila ndër vite ka krijuar një punishte dhe galeri të vërtetë arti ku punohet në qeramikë, zaje, dru e materiale të tjera, ku gdhenden portrete, peizazhe, legjenda dhe elementë të shumtë nga folklori e historia shqiptare, gjithçka artizanale, e denjë për t’iu servirur turistëve të shumtë që vijnë në Beratin e UNESCO-s”, tha Rama.

Kryeministri Rama dhe skulptorja Dëna biseduan mbi mënyrën se si ajo krijon punimet e saj, të cilat zbukurojnë shtëpitë e qytetarëve beratase, por edhe të turistëve që vizitojnë këtë qytet.

“Në studio pak më parë erdhën disa turiste izraelite, të cilat e pëlqejnë artin dhe ishin kureshtare mbi punimet e krijuara, si dhe për traditat shqiptare”, tha Dëna.

Llambrini Dëna ka hapur edhe një sërë ekspozitash virtuale të punimeve të saj. Mjaft interesante janë edhe punimet në terakotë të artistes, ku motivet popullore vijnë të përshtatura në kohë. Portrete medituese, statura të brishta e ngjyra të ngrohta që të afrojnë butësisht me tradicionalen./ KultPlus.com

Të ngjajshme