“Realizmi socialist” risjellë imazhet e Enver Hoxhës (FOTO)

20 Tetor, 2017 - 7:44 pm

Për herë të parë prezantohet një katalog, “Realizmi socialist shqiptar”, që përfshin dhe analizon vepra të realizuara në periudhën 1945-1990. Autor i këtij botimi me 256 faqe dhe 315 imazhe, në të cilin përfshihen 151 artistë, është studiuesi Ermir Hoxha. Gjatë promovimit të katalogut në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve, studiuesi Hoxha rrëfeu se qysh në fillim kishte menduar, që botimi të shoqërohej me një tekst të gjatë studimor, që të shpjegonte formatin shqiptar të realizmit socialist, si një fenomen ndërkombëtar.

Ndërsa, pjesa tjetër ndahet sipas periudhave historike. “Arti i realizmit socialist në Bashkimin Sovjetik lindi, që në vitet ’30. Ndërsa, në Shqipëri në fillim të viteve ’60, duke u importuar nga BS. Shqipëria kishte një format ndryshe, pasi teksa në frontet e Lindjes nisi që të braktisej realizmi socialist, në Shqipëri nisi që të merrte formën e tij standarde. Edhe iu përshtat terrorit që gjeti”. Temat që trajtohen në këtë katalog janë: “Historia nëpërmjet imazheve”, “Kulti i mitit, imazhi i Enver Hoxhës”, “Njeriu i ri shqiptar”, “Ushtri dhe popull”, “Steriotipe dhe standarde”, “Krahasimet tematike dhe strukturore”.

Pas tekstit studimor katalogu është i ndarë pesë periudha retrospektive, si periudha e Luftës deri në vitet ’60-të, ku artistët kishin studiuar në vendet perëndimore. Në vitet ’60-të “stafetën” e marrin ata studentë, që studiuan në vendet e Lindjes dhe realizuan realizimin socialist shqiptar. Periudha 1968-‘73 është shumë e rëndësishme, sepse konsiderohet, si periudha e liberalizimit. Faza e katërt 1974-‘85, është pothuajse periudha e fundme e realizmit socialist, ku shteti shtoi investimet. Periudha e fundit është periudha e një rigjetje liberalizimi të ri, një lloj dashurie e rishfaqur tek artistët shqiptarë për modernizmin, që është periudha e 1985-’90. Në katalog nuk janë përdorur vetëm piktura edhe skulptura, por edhe grafika dhe postera etj. “Shekulli” sjell tekstin studimor të studiuesit Ermir Hoxha për temën “Kulti i individit – Imazhi i Enver Hoxhës në artin pamor shqiptar”. Kjo temë, sipas studiuesit ka rëndësi shumë të madhe, sepse si të gjithë imazhet e diktatorëve të tjerë të materializuar në shekullin XX dhe në formatin shqiptar njohu dukuritë e veta.

Roli i Hoxhës në luftë, edhe pse mbeti kryesisht politik, në këto tablo ngrihet në piedestal, duke mohuar kontributin e figurave elitare ushtarake si ajo e Mehmet Shehut, që “rivalizoi” për pak kohë atë të Hoxhës, por për t’u mbyllur përfundimisht në fond, në vitin 1981, pas eliminimit të tij. Rruga e shkurtër drejt pushtetit, kurorëzohet me çlirimin e vendit, marrjen e detyrës së kryeministrit dhe gradën më të lartë ushtarake. Si lideri suprem i Shqipërisë së re, ai do të shfaqet para flamujve, si zëri i pushtetit dhe pse për pjesën më të madhe të popullsisë, ai rezultonte një figurë e panjohur. Por, edhe kjo pak rëndësi kishte.

Në rend kronologjik, çasteve vendimtare të pasluftës iu mbivendosën ato të Shpalljes së Republikës, (1946) moment kur luftëtarët kthehen nga pushtetmbajtës në shtetformues. Në këtë riformatim, figura e tij shfaqet edhe më dinjitoze, teksa çan turmën në krye të bashkëluftëtarëve. Ata vendosen në majë të kompozimit piramidal me uniforma të larta, ndërsa turma hapet në të dy krahët nga përfaqësueset e gjithë shtresave të shoqërisë. Momenti tjetër pasardhës, ishte ai i mbajtjes së premtimit të reformës agrare (toka, atij që e punon). Edhe këtu ai përfaqëson popullin e tij, si përfaqësues i vetëm i pushtetit, pasi në optikën vizionare të mitizimit figurativ, ai shpesh prezantohet i vetëm mes popullit.

Mes tij dhe tyre nuk duket të kishte ndërlidhës, sepse kjo nuk bënte gjë tjetër veçse errësonte sadopak rolin e tij. Ai i vetëm zëvendëson njëherazi partinë dhe shtetin, duke marrë përsipër të ndërtojë mbi vet pozicionin e babait shpirtëror të popullit të vet. Në tentativë për të plotësuar mozaikun e figurës së tij në kontekstin vendas, imazhi i tij do të shtohej me qindra versione të tjera. Ai shfaqet në Veri dhe Jug, i kudondodhur pranë punëtorëve, nxënësve, fëmijëve, të moshuarve e intelektualëve, në mal, fushë, kongres apo zyrë…

Pas këtyre imazheve themeluese të rendit të ri, ku ai njësohet si “arkitekti” i Shqipërisë së re, pozicioni i tij ideologjik ishte në kërkim të sfidave të reja ndërkombëtare. Imazhe, si ai i “Mbledhjes së Moskës”, apo takimet me liderët socialistë botërorë, si Mao apo Stalini, në foto apo pikturë, theksonin rolin e tij ndërkombëtar në çështje shumë përtej dimensioneve Shqipërisë.

Pas etapës së vetizolimit…, Enver Hoxha ndez luftën e klasave në emër të diktaturës, së proletariatit, heq pronën private, lirinë e fjalës dhe atë të ushtrimit të fesë… Ndërkaq në art, portretizimi i tij iu besua vetëm një grupi të vogël artistësh, gjithnjë nën supervizimin maksimal të superstrukturës shtetërore. Edhe objekte si shtëpia ku ai jetoi, dyqani ku punoi, u përjetësuan si vendet e reja të kultit, duke zëvendësuar kështu ato që ishin nxjerrë jashtë ligjit në vitin ’67, aq sa në fund edhe vet vdekja e tij la më shumë boshllëk se edhe kur ishte gjallë.

Nga Valeria Dedaj / Shekulli

Të ngjajshme