Rikthimi i fuqishëm i Visar Mulliqit, përqafim me kujtimet e fëmijërisë

27 Prill, 2018 - 1:12 pm

Alberina Haxhijaj

Artisti Visar Mulliqi që nga viti 2011 nuk ka ekspozuar në Prishtinë ndërsa pas shtatë viteve ai është rikthyer për të sjellë një ekspozitë e cila lidhet me elemente tradicionale.

Ekspozita e tij “100% Origjinal”, u hap mbrëmë në Galerinë e Fakultetit të Arteve në Prishtinë.

Të gjitha punimet që u prezantuan në këtë rikthim artistik ë Mulliqit lidhen me traditën shqiptare dhe kujtimet të cilat artisti i ka nga fëmijëria. Përmes kësaj ekspozite ai solli Kosovën ashtu siç e kujton, gjatë vizitave të ndryshme së bashku me prindërit e tij, gjersa është i vetëdijshëm për ndryshimet që ka pësuar Kosova në aspektin e arkitekturës dhe në fushat tjera të jetës. Sipas tij ngjyrat e ndezura dhe energjia të cilat e japin këto ngjyra, gjenden akoma të pranishme në peizazhin e Kosovës.

“Punimet e mia, panoramat apo peizazhet janë realizuar në Kosovë, vende të cilat i kam vizituar kur kam qenë i vogël, së bashku me prindër. Prandaj e kam quajtur ekspozitën “100% Origjinal” pasi që jam i këtij vendi dhe këtu shfaqet identiteti im, puna ime e pa marrë askund”, thekson artisti për KultPlus.

Në këtë ekspozitë e cila ka rreth 30 piktura, të pranishmit patën mundësi që të shikonin edhe një cikël të vogël, në të cilin mund të vëreheshin kasolle të vjetra, të marra përsëri nga kujtimet e fëmijërisë. Ndërsa tema e gjithë kësaj ekspozite i shërben artistit si pikënisje për zhvillimin e artit të tij.
“Ngjyrat e ndezura janë shumë me rëndësi sepse Kosova i ka ngjyrat e ndezura sidomos në vjeshtë dhe në pranverë. Kjo mundet me u pa nëpër Kosovë, në punime kam krijuar edhe një lloj stoicizmi të cilin unë gjithmonë e bëj. Këtu gjithmonë ka më pak lëvizje, ato fortunat e ndryshme, por stoik ka me qenë populli jonë dhe njerëzit që jetojnë këtu, diçka që shihet edhe në punime”, tha ai për KultPlus duke shtuar se gjërat kanë ndryshuar ndër vite mirëpo kjo është Kosova që ai e ka në nëndijen e tij.

Kuratori i kësaj ekspozite – Zeni Ballazhi, konsideron se në krijimtarinë e piktorit paraqitet një pikturë ekspresioniste figurative e dimensioneve të ndryshme me një fuqi emocionale.

“Pikturat e Visar Mulliqit plotësojnë lidhshmërinë tek njëra-tjetra, sigurojnë një dimension ekspresionist, e që ngritë shikueshmërinë dhe kënaqësinë tek publiku. Këto piktura për nga vlerat e tyre, justifikojnë plotësisht interesimin dhe vlerësimin e lartë të profesionistëve dhe artdashësve të shumtë si dhe nga vetë piktori i cili i koncepton si “100% origjinale”, është shprehur ai.

Për artistin Brane Kovic, piktori është i pranishëm fuqishëm në jetën kulturore të mjedisit të tij dhe i frymëzuar nga një traditë e caktuar ekspresioniste. Një ndër përfaqësuesit tjerë të shquar, ishte babai i tij Muslim Mulliqi.

“Nga regjistrat e ndryshëm të ofruar në tryezë dhe vepra të piktorit, Visar Mulliqi na zbulon imagjinatën e tij të veçantë, që rezulton nga një studim i thellë në një mjedis në të cilin është formuar dhe prej nga ka trashëguar”, është shprehur ai.

Artisti pritet që të hapë një ekspozitë tjetër në Prishtinë, në janar të vitit të ardhshëm. Ndërsa kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 10 maj në Galerinë e Fakultetit të Arteve. / KultPlus.com

Të ngjajshme