‘Rojtari’ shqiptar i piktorit serb konfiskohet në Beograd

18 Korrik, 2021 - 11:48 pm

“Rojtari”, vepër e piktorit të njohur serb, Paja Jovanoviq, është konfiskuar në aeroportin “Nikola Tesla” në Beograd, kanë raportuar mediat në Serbi. Një udhëtar kishte tentuar ta kontrabandonte veprën duke e fshehur në bagazh.

“Një 39-vjeçar nga Beogradi, duke marrë bagazhet u nis drejt daljes së aeroportit nëpër zonën e gjelbër, ku kalojnë ata që s’kanë çfarë të deklarojnë për doganim. Kur bagazhet e tij u kontrolluan, midis gjësendeve personale u gjet edhe vepra e kornizuar ‘Rojtari’, me dimensione 70 me 56 centimetra”, kanë njoftuar autoritetet doganore të Serbisë.

“Rojtari” muajin e kaluar u shit në ankand në “Dorotheum” të Vjenës.

Në fakt, edhe kjo vepër, njashtu si shumë të tjera të Jovanoviqit (16 qershor 1859 – 30 nëntor 1957), paraqet shqiptarin. Piktori i njohur ka një seri veprash ku portretizohen shqiptarët në Egjipt me kostume të dallueshme tradicionale.

Pos veprës, doganierët të premten kanë gjetur te ky udhëtar edhe faturën origjinale me shumën prej 137 mijë eurosh, përfshirë edhe taksat. Më 7 qershor, vepra tashmë e konfiskuar, arriti të shitej për 110 mijë euro në njërën prej shtëpive më të njohura të ankandeve, “Dorotheum”, e themeluar në vitin 1707. Pos “Rojtarit” – në po të njëjtin ankand të veprave të shekullit XIX – u shit edhe vepra tjetër e Jovanoviqit, e titulluar “Albaneze” që paraqet ushtarin shqiptar, me dimensione 16 me 12 centimetra. U vlerësua prej 12 mijë deri në 16 mijë euro, në ankand shpresuan ta shisnin për 20 mijë euro, por e kaloi edhe këtë shifër, tek e arriti çmimin prej 38 mijë eurosh, përfshirë edhe taksat. Edhe “Rojtari” theu rekord. U llogarit të shitej për 20 deri në 30 mijë euro, por arriti trefishin.

Por, një ditë pas konfiskimit, autoritetet e kryeqytetit të Serbisë kanë dalë me plane për “Rojtarin”.

Nënkryetari i Beogradit, Goran Vesiq, të shtunën ka thënë se kjo vepër do të ekspozohet për publikun e gjerë. Ka bërë me dije se ajo do të zërë vend në Muzeun e Qytetit të Beogradit. Ka zbuluar edhe një tjetër detaj: vetë qeveria lokale e kryeqytetit serb, kishte synuar ta blinte atë në ankandin e shtëpisë austriake.

“Nuk kemi guxuar ta zbulojmë faktin që ishim të interesuar ta blejmë këtë vepër, sepse do t’ia rrisnim çmimin. E kemi lutur një kompani perëndimore që vepron në Beograd që ta blejë atë dhe t’ia dhurojë Muzeut të Qytetit të Beogradit. Ajo ishte e gatshme ta paguajë deri në 50 mijë euro në ankand, por ajo arriti çmimin prej 110 mijë eurosh”, ka thënë Vesiq.

Veprat e mjeshtrit Paja Jovanoviq, ka kohë që ofrohen për shitje nga shtëpi të njohura ankandesh. Vetëm “Dorothemum” ka shitur 12 vepra të këtij autori. Muajin e kaluar, Dimitra Reimüller, kuratore e artit të klasicizmit në këtë shtëpi, kishte zbuluar se si kishte arritur te ta vepra “Rojtari”.

“Edhe kjo vepër i përkiste një koleksioni privat. Erdhi te ne nga Italia dhe ishte në pronësi të së njëjtës familje mbi 100 vjet. Hulumtuan për prejardhjen dhe e rikonstruktuam historinë. Sipas të gjitha gjasave, është blerë, gjegjësisht i është porositur direkt artistit”, kishte thënë Reimüller për mediat në Serbi.

Në prillin e vitit 2018, u thye rekordi në çmimin e një pikture të Jovanoviqit. Vepra “Dy bashibozukë para portës” u shit mbi gjysmë milioni euro në ankandin e shtëpisë së njohur londineze të ankandeve, “Sothby’s”. Paja Jovanoviq llogaritet të ketë bërë tetë piktura me temë shqiptare, ndër të cilat veprat: “Lufta e gjelave”, “Zbukurimi i nuses” apo “Shqiptari me duhan”. Edhe në “Dy bashibozukët para portës” dallohen lehtë kostumet shqiptare. /koha/ KultPlus.com

Të ngjajshme