“Rrëfime të Ushqimit” me Jeton Jagxhiun në Galerinë Kombëtare të Kosovës

26 Gusht, 2025 - 5:55 pm

Galeria Kombëtare e Kosovës do të hapë dyert këtë të mërkurë, më 27 gusht, nga ora 17:00 deri në 19:00, për një ngjarje komunitare të veçantë: “Rrëfime të Ushqimit” me grafistin dhe studiuesin e kulturës ushqimore, Jeton Jagxhiu.

Në këtë takim, Jagxhiu do të ndajë reflektime mbi bukën, gatimin dhe rolin e tyre në ndërtimin e identitetit kulturor të Kosovës. Ngjarja synon të shpalosë mënyrën se si ushqimi nuk është vetëm një nevojë bazike, por edhe një element i rëndësishëm i kujtesës dhe traditës shoqërore, transmeton KultPlus.

Jeton Jagxhiu (i lindur në Prizren më 1972) është grafist dhe inxhinier i diplomuar në teknologjinë grafike. Përveç profesionit, ai është i angazhuar në hulumtimin e marrëdhënieve mes ushqimit, kulturës dhe identitetit, me theks të veçantë tek krahinat e Prizrenit. Në librin e tij të ardhshëm “Hajet, kërkimet dhe krejt rrëfimet”, ai sjell një dokumentim të ciklit të hajeve tradicionale, ku veçohet rrëfimi mbi origjinën e djathit të Prizrenit si një dëshmi mbi lashtësinë e qytetit.

Kjo ngjarje e Galerisë Kombëtare të Kosovës pritet të afrojë artin, kulinarinë dhe kujtimet kolektive në një hapësirë dialogu, ku ushqimi shihet si trashëgimi kulturore dhe rrëfim identitar./KultPlus.com

Të ngjajshme